“Padrejtësitë nga gjyqësori”, familja Shehaj: Kalvar vuajtjesh për shtëpinë
Fier- Familja Shehaj nga qyteti i Fierit denoncon në Ora News padrejtësitë që i janë bërë nga gjyqësori për banesën e blerë ligjërisht nga shteti në 1967, ndërsa sot janë në qiell të hapur. Kalvari i vuajtjeve të tyre nisi në 1993 nga Komisioni i Kthimit të Pronave.Kryefamiljari, Albert Shehaj, tregon sesi Enti i Banesave Fier e la të pastrehë në shtëpinë e tij dhe sesi të njëjtët gjyqtarë kanë gjykuar të njëjtën çështje në periudha të ndryshme kohore, duke marrë dy vendime të ndryshme në gjykatën e Apelit në Vlorë.Shehaj e cilëson vendimin e dy gjyqtarëve konflikt interesi dhe kërkon që drejtësia të shkojë në vend. Objekti i konfliktit midis familjes Shehaj dhe ish- pronareve Troka është një ndërtesë në lagjen "15 Tetori" në Fier, të cilën familja Shehaj e ka blerë nga shteti për 250 mijë lekë.Edhe pse ata janë pronarë të ligjshëm me notë transkriptimi për 21 vite me radhë kanë trokitur në dyert e gjykatave për shkak të ligjit "Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm".7 pjestarët e familjes Shehaj janë nxjerrë nga banesa nga Përmbarimi i Fierit me vendimin e gjykatës së Apelit në 2013, fakt të cilin e denoncon Shehaj duke qenë se çeshtja është ende në proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë midis Entit të Banesave të Tiranes dhe ish- drejtuesit të mëparshëm të Entit të Banesave të Fierit për ndryshimin e statusit të qytetarëve Shehaj nga pronarë të pronës në të pastrehë.