Rama: Nesër, një tjetër 21 Janar pa drejtësi
Në prag të 2-vjetorit të ngjarjes së 21 Janarit, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka kërkuar vënien e drejtësisë.Në një bashkëbisedim me gazetarët Rama theksoi se 21 Janari është një nga ato plagë që kombet nuk mbyllin dot me sytë e harresës dhe se Partia Socialiste do të bëjë çmos që kjo plagë të shërohet përmes drejtësisë.“Nesër është një 21 janari, një tjetër 21 janar pa drejtësi, madje një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm. Ne do të jemi nesër aty ku kemi qenë qysh nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar 4 dëshmorët e 21 janarit.”- tha Rama.Rama vlerësoi edhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, në kërkim të drejtësisë për 21 janarin.Kreu i PS Edi Rama ka mohuar të ketë ndonjë marrëveshje me Partinë Demokratike për ndarjen e mandateve. “Çdo parti e vogël përpiqet të bëhet e madhe duke akzuzuar partitë e mëdha. Nuk ka asnjë marrëveshje me PD për ndarjen e zonave zgjedhore. Parlamenti s`mund të mbajë atributet e KQZ-së pasi është Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ai që duhet të bëjë ndarjen e mandateve” tha Rama.Gjithashtu kreu i PS-së Edi Rama i është referuar edhe heqjes së lapidarit të dëshmorëve në Luginën e Preshevës duke theksuar se ky akt tregon se Beogradi nuk po shkëputet dot nga e kaluara.Ai i ftoi qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës që të mos e linin bosh vendin ku deri para pak orësh qëndronte lapidari i UÇPMB-së, por secili të vendoste lule në kujtim të të rënëve.“Vendi i zbrazur forcërisht nuk mund të lihet bosh, dhe thirrja ime do të ishte që çdo qytetar, çdo familje në Preshevë ta mbushte atë vend me lulet në kujtim të të rënëve. Ata janë të rënët e gjithë kombit shqiptar, jo vetëm të Luginës, dhe në respekt të tyre në të gjithë përulemi.”- tha Rama.