2-vjetori i "21 Janarit", Wollfarth: Të vendoset drejtësia
Ndërsa të hënën shënohet 2-vjetori i demonstratës së 21 Janarit ku humbën jetën katër protestues , Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth ka deklaruar se duhet të vendoset sa më shpejtë drejtësia.Në një intervistë të shkurtër për zëdhënësen e OSBE-se në Vjene, Cathie Burton, lidhur me ngjarjet e 21 Janarit, ambasadori Wollfarth theksoi se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe jashtë ndikimeve politike.“Është shumë e rëndësishme për familjet e viktimave si dhe të të plagosurve që drejtësia të vihet në vend. Kjo duhet të ndodhë në përputhje me shtetin e së drejtës. Në demokraci duhet të ketë llogaridhënie dhe Shqipëria është demokraci. Familjet e viktimave dhe të të plagosurve e meritojnë këtë drejtësi. Ajo duhet të vendoset shpejt, në mënyrë të paanshme, pa ndikim nga asnjë palë politike, duhet e respektuar në mënyrë të rreptë ligjin dhe, shpresojmë, brenda një kohe të shkurtër” theksoi ambasadori.I pyetur se si ndihet dy vjet pas ngjarjeve në Tiranë, ambasadori Wollfarth ka theksuar se: “Kujtimi i ngjarjeve të 21 Janarit mbetet ende shumë i gjallë. Pamë viktima në rrugët e Tiranës dhe pamë edhe një numër të madh protestuesish dhe policësh të plagosur. Ky kujtim është ende shumë i pranishëm. Shprehim dhembshurinë tonë, edhe timen personalisht, për familjet e viktimave dhe të të plagosurve”.Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Wollfarth ka paraqitur edhe momentet kur ndodhi edhe ngjarja e 21 Janarit të cilën e cilësoi si traumatike.“E kishim shumë të vështirë t'u besonim syve tanë. Një prishje e tillë e rendit publik nuk është e zakontë në Shqipëri dhe në atë rast ishte e jashtëzakonshme. Ne kishim pak kohë që kishim mbërritur në Shqipëri: unë para pak muajsh, më pas ambasadori amerikan Alexander Arvizu, me të cilin isha atë ditë; ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian Ettore Sequi sapo kishte mbërritur. Që nga ai çast, ne reaguam bashkërisht si komunitet ndërkombëtar, ndaj këtyre ngjarjeve, të cilat ishin vërtet traumatike” ka theksuar ambasadori.