Kosovë, përballja e partive politike për kreun e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese
U zhvillua sot në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës seanca dëgjimore në lidhje me postin e kryetarit të Kuvendit, sipas kërkesës së parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës.Kërkesa e PDK-së kundërshton zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit në seancën konstituive të 17 korrikut, duke e cilësuar atë si anti-kushtetuese.Ndërkohë blloku i partive të koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma pretendon se zgjedhja e Mustafës ishte kushtetuese.Seanca dëgjimore është udhëhequr nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. PDK në këtë seancë është përfaqësuar nga deputeti Arsim Bajrami, kurse blloku LDK, AAK dhe Nisma nga deputetja Vjosa Osmani. Në prezantimin e argumenteve të Partisë Demokratike, deputeti Arsim Bajrami ka thënë se zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit nuk i ka respektuar procedurat kushtetuese.Sipas tij, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit, subjekti më i madh parlamentar është Partia Demokratike e Kosovës dhe rrjedhimisht duhet të njihet edhe si grupi më i madh parlamentar, gje e cila i jep automatikisht të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit.Duke e cilësuar zgjedhjen e Mustafës si anti-kushtetuese, Bajrami kërkoi që Gjykata Kushtetuese të konkludojë në vendimin e vet që zgjedhja e Isa Mustafës nuk ishte kushtetuese dhe t'i njeh PDK-së të drejtën e propozimit të kandidatit të saj.Në anën tjetër, përfaqësuesja e koalicionit LDK, AAK dhe Nisma, Vjosa Osmani ka thënë se zgjedhja e Mustafës ishte kushtetuese dhe se këtë vendim duhet ta njoh edhe Kushtetuesja në vendimin përfundimtar. Osmani ka thënë po ashtu se Grupi më i madh parlamentar është ai i partive LDK, AAK dhe Nisma dhe jo ai i PDK-së.Sipas procedurave, pas seancës dëgjimore, paneli i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojë konsultimin e brendshëm deri në marrjen e vendimit me anë të votimit të fshehtë.Ky vendim, sipas afatit ligjor mund të merret deri më 18 shtator, ndonëse pritjet e partive politike janë që vendimi të merret më herët për shkak të vakumit institucional në Kosovë.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter