Kosovë, blloku opozitar kundër zgjedhjeve, PDK pro
Kosovë-Mbajtja e zgjedhjeve të reja në vend po kundërshtohet fuqishëm nga Blloku i partive opozitare. Mirëpo, një opsion i tillë është i mundshëm për Partinë Demokratike të Kosovës, por edhe për Lëvizjen “Vetëvendosje”. Por, analistët politikë kanë përjashtuar çdo mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje, pa prejudikuar se kush do të qeverisë vendin.Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka përjashtuar çdo mundësi që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Ai ka thënë se PDK-ja e ka kuptuar se do të mbetet në opozitë, kjo pasi që asnjë parti s’e dëshiron të lidhë koalicion qeveritar me të.Beqiri më tej thotë se nëse vendimi i Gjykatës do të jetë në favor të Bllokut: LDK, AAK, Nisma, PDK-ja e vetme në asnjë mënyrë nuk mund ta çojë vendin në zgjedhjet e parakohshme.“PDK-ja njëanshëm mund të mos marrë pjesë në institucione, gjë që nuk do ta dëshironim, por vendin assesi nuk mund ta dërgojë në zgjedhje në asnjë rrethanë, aq më tepër në rrethanat kur Gjykata Kushtetuese do të vendosë në bazë të argumenteve dhe fakteve dhe të Kushtetutës sonë”, ka thënë Beqiri.Sipas tij, PDK-ja duhet ta kuptojë se e ka humbur shansin për ta formuar qeverinë.“Askush se do PDK-në në bashkëqeverisje. Kësaj radhe, qeverinë e formojnë ata që i kanë numrat në Parlament, sepse ne jemi Republikë Parlamentare. Pra, qeveria e ardhshme do të jetë LDK-AAK-Nisma”, ka thënë Beqiri.Krasniqi: PDK-ja e gatshme për zgjedhjePor Memli Krasniqi, nga PDK-ja, vlerëson se një parti serioze është e gatshme për zgjedhje në çdo moment dhe PDK-ja, sipas tij, si partia më e madhe në Kosovë dhe me besimin më të madh qytetar, pa dyshim që është shumë komode për të hyrë në zgjedhje të reja.“Por, ne besojmë se zgjedhjet e reja mund të evitohen dhe vullneti i qytetarëve mund të zbatohet drejt pas vendimeve përkatëse të Gjykatës Kushtetuese, që mund t'i hapin rrugë krijimit të qeverisë së udhëhequr nga PDK-ja”, ka thënë Krasniqi.Edhe Erzen Vraniqi, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë se kjo lëvizje e ka shumë të rëndësishëm ndërrimin e kursit shtetëror të Kosovës, nga ai siç thotë Vraniqi, i pazareve të dëmshme me Serbinë dhe i privatizimit të egër shkatërrues për ekonominë.Rrjedhimisht, siç ka thënë ai, “Vetëvendosje” ka kërkuar të pamundësohet qeverisja “Thaçi 3”, por njëkohësisht edhe koalicionit: LDK, AAK, Nisma t’ia kenë përcaktuar disa kritere, sepse pa to realisht nuk ka ndërrim kursi.“Zhvillimet në vazhdim varen shumë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në radhë të parë. Nëse ky vendim do të jetë pro të drejtës së koalicionit: LDK, AAK, Nisma, për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, atëherë ky koalicion duhet të zgjedhë a do t'i pranojë kriteret tona e t'i përvishemi punës në sanimin e dëmeve dhe ndërtimin e mirëfilltë të Kosovës, apo do të ndërtojë institucione të brishta vetëm sa për pushtet formal”, ka thënë Vraniqi.Mazreku: Kosova nuk është në krizë parlamentareMegjithatë njohësi i rrethanave politike në vend, Avni Mazreku, konsideron se asnjeri nga subjektet politike që nuk e ka shumicën (mbi 61 deputetë) nuk mund ta dërgojë vendin në zgjedhje.“Zgjedhjet janë opsion vetëm atëherë kur asnjeri opsion politikë nuk mund ta arrijë shumicën e nevojshme në Parlament. Pas konstituimit të Kuvendit të dalë pas zgjedhjeve të 8 qershorit kemi parë se shumica e nevojshme në Parlament është arritur nga koalicioni: LDK, AAK, Nisma plus minoritet dhe “Vetëvendosje””, ka thënë Mazreku.Prandaj, siç ka thënë ai, Kosova nuk është në krizë parlamentare. Rrjedhimisht zgjedhjet e reja nuk janë opsion e as zgjidhje.Edhe Albert Krasniqi, nga KIPRED-i, thotë se zgjedhja apo moszgjedhja e kryetarit të Kuvendit nga ana e PDK-së, nuk mund të reflektojë në kërkesën për zgjedhje nacionale nga PDK-ja.“Deklarimi i zyrtarëve të PDK-së për zgjedhje nacionale nuk kanë asnjë bazë ligjore. Jo vetëm legjislacioni i Kosovës, por asnjë legjislacion tjetër nga vendet e rajonit nuk e parasheh një gjë të tillë, në rast se nuk mund të zgjidhet kryetari i Kuvendit nga partia që ka marrë më shumë vota”, ka thënë Krasniqi.Analisti politik, Naim Rashiti, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta rregullojë statutin e votimit të datës 17 korrik, pra kryetarit të votuar të Kuvendit.“Të gjitha partitë do ta pranojnë verdiktin e Kushtetueses dhe duhet të ulen dhe konform Rregullores të pajtohen me procedurën”, ka thënë ai.Sidoqoftë, sipas Rashitit, tani për tani shihet qartë se PDK-ja nuk ka partner për formimin e qeverisë.“E gjërat mund të ndryshojnë gradualisht, veçanërisht nëse koalicioni: LDK, AAK, Nisma nuk arrin të sigurojë një shumicë parlamentare”, ka thënë ai. Sipas tij, koalicioni dhe “Vetëvendosja” kanë hendikepet e tyre.“E para është se faktori ndërkombëtar nuk përkrah një qeveri ku “Vetëvendosje” ka rol përcaktues, në veçanti rol dominues në dialog dhe çështje të tjera, dhe se “Vetëvendosje” ende mbetet e papërcaktuar, ende heziton që në mënyrë transparente të përcaktohet për rolin e saj në qeverinë e ardhshme. E vetmja gjë transparente e saj është qëndrimi kundër qeverisë “THAÇI-3”, por në shumë tema të tjera ka dallime serioze me partitë e koalicionit”, ka thënë Rashiti.(Zeri)Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter