Shpend Ahmeti: Qeverinë e formon ai që ka shumicën

Kosovë - Shpend Ahmeti ende s’e ka thënë asnjë fjalë për arrestimet e fundit që kanë ndodhur ndaj të dyshuarve për terrorizëm. Sidoqoftë, ai po vazhdon të merret me deklarata të nivelit qendror, duke analizuar se kush mund të formojë Qeverinë e re. Sipas tij, kush e ka shumicën e ka mundësinë të ndërtojë institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar Presidenten Atifete Jahjaga dhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke thënë se interpretimi që ka dhënë kjo Gjykatë deri më tani më tepër e ka komplikuar procesin se sa që ka dhënë zgjidhje.Këto komente, ai i ka bërë në TV Dukagjini.Duke folur për zgjedhjet nacionale të 8 qershorit dhe lëvizjet në skenën politike menjëherë pas kësaj date, Ahmeti ka pohuar se PDK ka fituar, por ka shtuar se institucionet i ndërton ai që ka shumicën.“Unë kam studiuar sistemet politike në Botë dhe ne jemi Republikë Parlamentare. Ne duhet ta pranojmë se PDK doli e para më 8 qershor, por ne edhe e kemi të qartë se institucionet i ndërton ai që e ka shumicën parlamentare”.Ahmeti më tej ka shtuar se PDK-së, si parti që doli e para, i jepet e drejta të tentojë ta formojë Qeverinë dhe organet tjera shtetërore sipas Kushtetutës, por e njëjta gjë ndodh sipas procedurës në rrethin e dytë kur PDK në këtë rast nuk mund të sigurojë mbështetjen e shumicës së nevojshme.“I kalon e drejta partisë ose koalicionit apo grupimit që i dëshmon Presidentes se e ka shumicën parlamentare, e jo domosdoshmërisht këtë gjë e bënë partia e dytë”.Ahmeti, më tutje në paraqitjen e tij në TV Dukagjini, ka deklaruar se Presidentes Jahjaga i mungon guximi për të marrë vendime.Sa i përket Vetëvendosjes, ndërkaq, ai ka thënë se është e gatshme të “sakrifikohet” për të hyrë në Qeveri, nëse mendohet se me këtë Kosova ecën një hap para.Shpend Ahmeti, po ashtu ka vlerësuar se ekziston një besim shumë herë më i ulët ndaj PDK-së sesa ndaj Bllokut Nisma-AAK-LDK.Ai ka thënë se, si pjesë e Vetëvendosjes, ka pare një gatishmëri më të madhe për qeverisje tek Blloku sesa tek PDK.(Marrë nga Gazeta Express)