Forumi Musliman: ISIS nuk përfaqëson muslimanët. E thotë Kurani “Nuk ka dhunë në fe”
Tiranë- Forumi Musliman i Shqipërisë ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet në Siri dhe Irak, duke u distancuar qartazi nga aktet terroriste të ashtëquajturit kalifati i ISIS.Në një deklaratë për mediat, Forumi nënvizon qartazi se ISIS nuk përfaqëson muslimanët, ndërsa apelon të gjithë shqiptarët muslimanë dhe jo vetëm, t'i përmbahen diturisë, përuljes dhe respektit, si vlera për të cilat shoqëria jonë ka kaq shumë nevojë .“Forumi Musliman i Shqipërisë me indinjatë të thellë po përcjell aktet e dhunës dhe vrasjet masive të një organizate terrori e ashtuquajtur kalifat i ISIS, e cila pas masakrës se mijëra muslimanëve në Siri dhe Irak, së fundmi ka kulmuar me dëbimin dhe vrasjen masive të popullsive minoritare të krishtera, që për shekuj kanë qenë nën mbrojtjen dhe në bashkëjetesë me muslimanët e atyre vendeve. FMSH refuzon me neveri atribuimin e akteve të tilla, si praktika të muslimanëve dhe distancohet haptazi dhe prerë nga sjellje të tilla. Si një organizatë e shoqërisë civile, e cila beson në vlerat më të larta dhe fisnike të Islamit, që kulmon me versetin kuranor "Nuk ka dhunë në fe, është sqaruar e vërteta nga e kota", Forumi u bën thirrje të gjithë shqiptarëve muslimanë dhe jo vetëm, t'i përmbahen diturisë, përuljes dhe respektit, si vlera për të cilat shoqëria jonë ka kaq shumë nevojë dhe si shembulli më i mirë për të cilën kjo fe na meson”.FMSH thekson gjithashtu se po ndjek me vëmendje arrestimet e fundit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.“Ne inkurajojmë organet kompetente në përpjekje për të frenuar ekstremizmin, po në të njëjtën kohë u tërheqim vëmendjen, që të bëjnë dallimin mes ekstremistëve dhe personave të paditur dhe te manipuluar”.Forumi Musliman i Shqipërisë e ka konsideruar dhe e konsideron aktivitetin e kësaj organizate të dyshimtë, anonime, nën maska të zeza e flamuj të zinj, si një ndër demet më të mëdha të organizuara në mënyrë sistematike ndaj emrit të Islamit dhe muslimanit.“Me këtë deklarate FMSH konfirmon publikisht angazhimin e saj të kahershëm e të vazhdueshëm për t' u bërë promotore e frenimit të çdo lloj lajthitjeje dhe devijimi, si kontribuuese e vlerave progresive islame për të mirën e përbashkët individuale e publike” përfundon deklarata.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter