Gruevski garanton: Në Maqedoni nuk do të përsëritet më konflikti i vitit 2001
Maqedoni- Me tone emocionale dhe fjalë të zgjedhura mirë, kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, ka paralajmëruar se nuk do të lejojë askënd të sfidojë marrëdhëniet ndëretnike në vend. Duke folur në ceremoninë zyrtare për festën e Ilindenit, Gruevski tha se tani nuk është më viti 2001 ndaj edhe ata që i cilësoi "provokatorë" nuk do të lejohen në qëllimin e tyre."Dua të përcjell mesazh te ata që i sfidojnë marrëdhëniet ndëretnike. Ky nuk është 2001shi, as që mund të jetë. Ejani bashkërisht të tregojmë se mund të jetojmë në harmoni. Ne nuk do të lejojmë që provokatorë të imët, që i dimë shumë mirë se kush janë, ti nxisin marrëdhëniet ndëretnike".Komentet i referohen tensioneve etnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve që janë të larta këto kohë për shkak të rastit “Mostra”. Referuar kësaj çështjeje, por edhe asaj të kontestit të emrit me Greqinë, Gruevski nuk ka kursyer as kritikat për Bashkimin Europian, duke kërkuar të mos shkelë parimet dhe vlerat për shkak të interesave të tjera."Nëse dikush mendon se me injorimin e këtij problemi do të krijojë zgjidhje, gënjehet thellësisht. Injorimi vetëm e ndihmon problemin, të rritet dhe thellohet. Evropa nuk guxon që interesin ta vendosë mbi parimet dhe vlerat pasi ashtu vetëm i ushqen skeptikët… Ne jemi maqedonas dhe flasim gjuhën maqedonase, kemi kulturën tonë autentike maqedonase dhe nuk kemi asnjë pretendim ndaj Greqisë ose ndaj cilido fqinji tonë, as që duam të dëmtojmë dikë. Duam paqe, liri, prosperitet për të gjithë qytetarët. Duam drejtësi".Gruevski ka lëshuar një sinjal pozitiv afrimi edhe me opozitën, e cila nuk njeh institucionet pas zgjedhjeve të përgjithshme.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter