Meidani: Skema piramidale e diplomave false s' është asgjë para piramidës aktuale parlamentare
Tirane- “A mund të vazhdohet me këtë të majtë?!” Përmes një shkrimi analitik ish presidenti Rexhep Meidani analizon të majtën sot dhe flet për nevojën e një koncepti të ri (jo ndryshim kolori), në kushet kur konceptet neokapitaliste po shtrihen me shpejtësi edhe në Shqipëri.“Në kushtet e Shqipërisë, pretendimet brenda të së njëjtës skemë, për rilindje apo "formula për ringjallje" duken si të pakuptimta. Nevojitet një përafrim tjetër për një të majtë me nuanca sa më globale, po aq dhe lokale (po aq shqiptare). Ajo nuk duket se mund të arrihet me "këllqet"e së ashtuquajturës e majtë aktuale. Aq më tepër që mjaft pasanikë të Shqipërisë, sot, janë bashkuar e janë bërë pjesë përbërëse të grupimit socialist.Për më tepër, jo për ide! Madje, problem po trashet në vite , sipas shprehjes popullore "shih rrushi rrushin e piqet!" (d.m.th. dhe prishet). Kjo pasqyrohet jo vetëm në cilësinë e sotme të Kuvendit, por, mbi të gjitha, konstatohet në mbylljen e syve para individëve me "CV" të dyshimtë! Në këtë kuptim, shkatërrimi i bujshëm i "skemës piramidale të diplomave universitare të pavlefshme" nuk është asgjë para piramidës aktuale parlamentare dhe asaj elektorale!... shkruan Profesor Doktor Rexhep Meidani në artikullin e botuar në gazetën "Panorama" më 11 gusht 2014.Më pas flet për vendosjen në qendër të gjithçkaje njeriun, “vetë individin si qenie njerëzore në të gjitha përmasat e tij personale e kolektive, dhe jo shteti apo paraja, që konsiderohen tashmë si praktika të pasuksesshme”.Flet për nevojën e një revolucioni të ashtuquajtur “smart” ku për të ecur përpara nuk nevojitet patjetër pozicioni “kundër”.“P.sh., pas zgjedhjeve në kongresin e PS-së, në vitin 2005, u projektua në drejtim si pozicion ai “anti-Nano”, por shpejt u kuptua se një “armë” e tillë nuk të çonte gjëkundi në afat gjatësi. Edhe “anti-berishizmi” i sotëm pas një qeverisje njëvjeçare socialiste nuk mjafton më, ai jo vetëm është shpenzues në retorikë, por është dhe pa bukë."(Shënim: Titulli është redaksional. Titulli origjinal i shkrimit është "A mund të vazhdohet me këtë të majtë?!) Shkrimi origjinal eshte ketu: A mund të vazhdohet me këtë të majtë?!