Territori, Basha- Moros: Reforma hartë elektorale, PD do vazhdojë konsultimet
Tiranë- Partia Demokratike mbetet e vendosur për të mos pranuar reformën territoriale. Për kreun e kësaj partie, Lulzim Basha, kjo është thjesht dhe vetëm një hartë elektorale dhe jo një reformë e bazuar në realitetin e vendit.Qëndrimin shefi i opozitës e bëri të qartë gjatë një takimi koertezie me Ambasadoren në ikje të Francës, Christine Moro, ku theksoi se Partia Demokratike do të vazhdojë konsultimet me qytetarët dhe do të ndjekë çdo instrument ligjor dhe kushtetues, për të bërë të mundur që qytetarët të vendosin vetë për një reformë territoriale administrative që t’u shërbejë atyre.Një mirënjohje të veçantë, Basha i shprehu ambasadores franceze për mbështetjen financiare dhe me ekspertizë teknike që ajo dhe vendi i saj i kanë dhënë projektit të Tiranës moderne dhe europiane dhe veçanërisht projektit të tramit i cili pret garancinë sovrane nga qeveria për t’u realizuar.Basha u shpreh optimist se pavarësisht debatit politik, projekti i tramit do të zbatohet dhe shprehu angazhimin e tij për të bërë gjithçka që ky projekt të shkojë përpara.Nga ana e saj, ambasadorja Moro vlerësoi se deri më tani projekti nuk ka hasur asnjë vështirësi teknike gjatë hartimit të tij, duke shprehur keqardhjen për vështirësitë politike që po has zbatimi i tij.Basha e ka njohur znj. Moro me faktin se jo vetëm projekti i tramit është bllokuar nga qeveria por edhe projekte të tjera, siç është bulevardi i ri i Tiranës të cilin qeveria bëri gjithçka për ta penguar, projekti i menaxhimit të mbetjeve urbane, i Bankës Botërore dhe terminali multimodal i Tiranës që mbështetet nga BERZH e për të cilin qeveria duhet të lejojë këshilltarët e majtë të autorizojnë hapjen e procedurave të dhënies me konçension dhe që nuk do t’u kushtojnë asnjë lekë taksapaguesve shqiptarë.Në lidhje me situatën politike në vend, z. Basha shprehu shqetësimin për paligjshmërinë që po shoqëron çdo vendimmarrje të kësaj qeverie, rënien ekonomike dhe tentativën për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura. Basha e siguroi ambasadoren Moro se opozita nuk do të merret vetëm me konstatime të problematikave të qeverisjes por do të ofrojë vizionin e saj për sigurimin e një jetese më të mirë për qytetarët.Po sot, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës zhvilloi një takim kortezie edhe me ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, z. Janos Huszar, me rastin e përfundimit të misionit të tij në vendin tonë.Basha i cilësoi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Hungarisë të shkëlqyera e që janë intensifikuar edhe më shumë kohët e fundit, duke vlerësuar dhe kontributin e ambasadorit Huszar në këtë drejtim.Ambasadori hungarez ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë gjatë drejtimit të qeverisë nga PD të cilat bënë të mundur që Shqipëria të anëtarësohet në NATO dhe të hedhë hapa përpara në procesin e integrimit europian.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter