Mbi reformën në sektorin e arsimit në Shqipëri
Në sektorin e arsimit roli dhe funksioni i shtetit në kushtet e një ekonomie tregu lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me vendosjen dhe sigurimin e cilësisë së shkollës dhe garantimin e cilësisë së njohurive që jepen në të tëra nivelet e edukimit, pavarësisht ndryshimeve që ndodhin për shkak të rotacionit qeverisës.Kohë pas kohe, me ndryshimet që ndodhin në vend dhe në vendet e tjera, për shkak të zhvillimit të njohurive në përgjithësi dhe të metodave dhe praktikave të mësimdhënies në veçanti, është e udhës që të bëhen reforma edhe në sektorin e arsimit, shkalla dhe niveli i të cilave varet shumë nga problemet që shfaqen përgjatë rrugës së zhvillimit të vendit dhe ecurisë dhe zhvillimit të vetë sektorit në fjalë.Megjithatë, në përgjithësi, reforma në arsim është e udhës të përfshijë të tëra hallkat, duke filluar me arsimin parashkollor, fillor, nëntëvjeçar, e duke vazhduar me atë të mesëm, universitar dhe pasuniversitar, pa lënë mënjanë veprimtarinë e kualifikimeve afatshkurtëra dhe afatgjata që ofrohen nga subjekte të ndryshme, su publike ashtu edhe private. Nëse përpiqesh të bësh reformë në arsimin e lartë, pa bërë reforma në arsimin në nivele më të ulëta, atëhere nuk ke bërë asgje, veçse përpjekje për përmirësim të imazhit nëpërmjet marrëdhënieve me publikun, duke patur parasysh se publiku është mjaft i ndjeshëm për këtë çështje dhe të përpiqesh të manipulosh publikun në këtë mënyrë është e pafalshme dhe e pamoralshme.Çështja kryesore në lidhje me ecurinë dhe zhvillimin e sektorit të arsimit në një vend të caktuar është kërkesa dhe oferta në treg për produktet dhe shërbimet që ofrojnë subjektet publike dhe private në këtë sektor. Kjo kërkesë dhe ofertë nuk mund të rritet apo zvogëlohet me urdhër nga lart e me veprime drastike për heqje e pezullim licencash e me reduktim të numrit të atyre që duhet të vazhdojnë shkollën në një nivel të caktuar, kur janë ata që duan të vazhdojnë shkollën, prindërit e tyre dhe të afërmit e tyre që e përcaktojnë kërkesën dhe ofertën me zgjedhjen që bëjnë individualisht se në cilin subjekt arsimor duan që të vazhdojnë studimet. Për më tej, në kushtet e një ekonomie tregu funksionale, kërkesa dhe oferta varet nga cilësia e produkteve dhe shërbimeve, që ofrohen në treg, lidhur kjo shumë ngushtë me çmimin e këtyre produkteve dhe shërbimeve si dhe me pikëpamjet që ka komuniteti dhe individëve në lidhje me këtë cilësi. Si rezultat i kësaj ato subjekte që kanë çmime jo të përshtatshme me cilësinë e ofruar nuk do kenë rezultat në treg. Kjo ose do i eliminojë këto subjekte ose do i detyrojë ato që të përmirësojnë marrëdhënien çmim – cilësi për produktet dhe shërbimet që ofrojnë.Së dyri, në parim, reforma në arsim lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me legjislacionin e sektorit. Edhe nëse ligjet bëhen, kjo nuk do të thotë se janë të mira. Ato duhet të jenë në përqasje me legjislacionin e vendeve më të përparuara në fushën e edukimit dhe në përputhje me kushtet aktuale të vendit. Edhe nëse ligjet janë të përafruara me ato të vendeve më të përparuara dhe të përshtatshme për vendin, kjo nuk do të thotë se ato zbatohen. Për zbatimin e ligjit në fushën e arsimit shteti ndërton agjenci të specializuara që ushtrojnë veprimtarinë e kontrollit për zbatimin e legjislacionit në fushën e arsimit. Ngritja e komisioneve që bëjnë kontrolle dy a tre ditore dhe mbi bazën e këtyre kontrolleve heqin dhe pezullojnë licenca nuk është as më shumë e as më pak por një metodë e jashtëligjshme mjaft e vjetër pune e atyre që dikur i quanin kontrolli punëtor e fshatar, që të bënte namin e të nxinte faqen në mes të lagjes për hiç gjë. Qëllimi i kontrollit nuk është penalizimi i subjekteve dhe individëve por përmirësimi i punës dhe këtë duhet ta ketë parasysh çdo inspektor e grup kontrolli pavarësisht sektorit ku ushtron funksionin apo ku i japin urdhër të ushtrojë kontrollin, sepse në fund të fundit specialisti inspektor ka nderin dhe karakterin personal, që nuk mund të hidhet poshtë për hir të interesave të atyre që të nisin për kontroll.Pas legjislacionit, si çështje e tretë në radhë në sektorin e arsimit vjen procedura e licencimit të subjekteve publike dhe private të arsimit në të tëra nivelet, e cila lidhet ngushtësisht dhe pandashmërisht me procesin e mbikqyrjes dhe auditimit të këtyre subjekteve, proces mbikqyrjeje dhe auditimi i ngritur mbi pikëpamjen e përmirësimit të vazhdueshëm, që vjen si rezultat i lënies së detyrave për t’u plotësuar pas kontrolleve dhe jo me marrjen e vendimeve drastike për mbylljen e subjekteve që “nuk plotësojnë kushtet dhe ligjshmërinë”. Në fakt deri tani në Shqipëri është e dukshme se licencimi është parë i ndarë nga mbikqyrja dhe auditimi dhe kjo është një nga arsyet e gjendjes së krijuar në përgjithësi në sektorin e arsimit në Shqipëri dhe në arsimin e lartë ne veçanti. Siç e theksova edhe më lart, mbikqyrja dhe auditimi i subjekteve publike dhe private në sektorin e arsimit është atribut i agjencive të specializuara, të cilat vetë nga ana e tyre janë të akredituara për këtë lloj veprimtarie dhe jo atribut i komisioneve në përbërjen e të cilëve ka persona që kanë lidhje me arsimin në mënyrë rastësore dhe aksidentale.Së fundmi, gjendja në sektorin e arsimit nuk mund të pritet që të jetë e mrekullueshme kur qytetarët hedhin plehrat nga ballkonet, kur natën vidhen pusetat e kanalizimeve të ujrave urbane, kur njerëz hakmarrës të gërvishtin makinën sapo e le diku në ndonjë cep pallati, kur në mes të ditës në mjedise me shumë njerëz flitet me zë të lartë dhe me fjalë nga më të turpshmet dhe kur vetë individë nga klasa politike futen mik që njerëz të tyre të arrijnë të kalojnë klasën dhe të marrin nota të mira në provime dhe kur në procesin e përzgjedhjes së individëve në vendet e punës (kryesisht) në sektorin publik bëhen me rekomandime nga lart, nga vetë politikanët, pa marrë fare parasysh nivelin e edukimit dhe arritjet në shkollë të personit për të cilin futen mik.Parë nga ky këndvështrim nuk ka asnjë arsye që të ndërmerren fushata për mbylljen, pezullimin dhe lejimin e vazhdimësisë së licencave të lëshuara të subjekteve të arsimit në të tëra nivelet, por, në vazhdimësi të mbikqyret gjendja dhe të auditohen subjektet përkatëse, të cilat vetëm nëse nuk plotësojnë kushtet dhe rekomandimet e kontrolleve të kryera nga agjenci të specializuara, brenda një afati të caktuar kohor (e theksoj se u duhet lënë një afat i përshtatshëm kohor), t’u njoftohet heqja e përkohshme apo e përhershme e licencës.Përsiatjet dhe humbjet e kohës me debate dhe prezantime mediatike në lidhje me atë se duhet model anglez, francez apo gjerman e kinez në arsim apo se si duhen ndarë fondet e financimet e projekteve dhe programeve qeveritare në sektorin e arstimit mbeten çështje në nivel ekspertësh dhe jo individësh të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të tillë me interesa të mëdha kryesisht financiare në sektorin në fjalë, lidhje që dëmtojnë sektorin e arsimit ashtu siç po ndodh në të vërtetë në Shqipëri.