Vlorë, PD: Qeveria presion ndaj biznesit. Në kulmin e sezonit, bregdeti pa energji elektrike
Vlorë- Partia Demokratike denoncoi dhunën dhe presionin që sipas opozitës po bëjnë strukturat qeveritare ndaj një biznesi të madh në Vlorë ku janë të punësuar me qindra qytetarë.Koordinatori për Mbrojtje Ligjore dhe Denoncimet në PD, Ervin Salianji, tha se ndërhyrja për çështjen e energjisë ka qenë selektive për këtë biznes dhe se policia nuk ka pasur mandat.“Ndërkohë që propaganda e agjencive qeveritare propagandon me taksat e taksapaguesve shqiptarë suksese në fushën e biznesit, gjendja reale e biznesit është kjo që shohim këtu. Biznesi është në gjendje dhune, në gjendje terrori. Pa mandat kontrolli, Policia përdoret si të jetë polici private në shërbim të një drejtori apo shefi policie. Banditët dhe gjobvënësit tashmë nuk janë më me maska por janë të veshur me autoritet shtetëror dhe qeveritar. Sukseset imagjinare të biznesit janë vetëm në konferencat e sukseseve imagjinare të qeverisë ndërkohë që këtu në terren biznesi përballet me këto vështirësi. Këtu në terren biznesi nuk di kujt t’i drejtohet. Asnjë institucion qeveritar nuk reagon pasi ka gati dy javë që i ushtrohet terror psikologjik, ashtu edhe ndaj punëtorëve. Kjo gjendje ndikon në përkeqësimin e klimës së biznesit dhe në përkeqësimin e lirisë ekonomike në Shqipëri. Kjo gjendje ndikon në lënien pa punë të mijëra punëtorëve të cilët mbajnë familjet e tyre nga ky biznes. Qeveria në vend që t’i japë një dorë dhe ta konsiderojë si partner biznesin, e konsideron si armik dhe i vendos shkelmin në fyt për ta mbytur dhe asfiksuar totalisht”, tha Salianji.Ndërkohë, kryetari i PD-së në Vlorë, Moisi Meminaj, deklaroi se bizneset po vuajnë edhe mungesën e thellë të energjisë elektrike në zonën e Bregut, ndonëse ndodhemi në kulmin e sezonit turistik.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter