Lezhë, banorët e lagjes “Nënë Tereza” kërkojnë përfundimin e investimit
Shiu i korrikut i paraprin panikut që përjetojnë banorët e lagjes “Nënë Tereza” në Lezhë gjatë stinës së dimrit. Këtë frikë e krijon segmenti në rikonstruksion që përshkon këtë lagje. Për shkak të zvarritjeve në përfundimin e këtij segmenti, vershimi i ujërave të bardha dhe të zeza i cili mori me vete edhe inerte depërtoi në disa banesa dhe perfundoi në superstradë.“Nga shirat që kanë rënë para dy ditësh - ju e patë vetë se si është gjendja këtu - inertet dhe ujërat e zeza kanë rënë në oborrin e shtëpisë time dhe rrezikohet shtëpia. Është hera e katërt që përmbytemi. Unë nuk e di tashmë se kuj duhet t’i drejtohem. I jam drejtuar Ministrit të Transporteve me një kërkesë, është lënë për detyrë që të vijnë të ndërhyjnë institucionet vendore. Ata normalisht kanë kthyer përgjigje që nuk disponojnë letra. Unë jam që në vtin 1985 këtu , që nuk ka pasur asnjë shtëpi tjetër.Në lagjen “Nënë Tereza” janë bërë projekte me devijime, nuk merret vesh asgjë se çfarë është bërë. Unë s’mund të kaloj me makinë, se më prishen gomat, pusetat janë duke rënë brenda. I bëj thirrje shtetit që të vijë të merret me këtë, se s’kemi çfarë të bëjmë tjetër.Shteti duhet të vërë dorë në këtë rrugë, është shumë problematike. Po ne jemi bërë sikur të ishim në Pakistan, sikur mos të kishte shtet”- shprehen të shqetësuar disa banorë të kësaj zone.Ky investim duhet të përfundojë në fillim të muajit gusht, ndërsa banorëve të lagjes “Nënë Tereza” në Lezhë u janë shuar shpresat se kjo pamje dhe situatë do të marrë zgjidhje.