Rama: Shumë universitete private do t'i nxjerrim nga sistemi, në dhjetor nis akreditimi

Tiranë - Kreu i Qeverisë Edi Rama ka njoftuar sot se një pjesë e mirë e universiteteve privatë në vend do të mbyllen, do të nxirren jashtë sistemit arsimor, pasi, siç theksoi ai, janë shndrruar në një biznes makut që vetëm shkrin para nga xhepat e prindërve të shkretë dhe prodhojnë diploma pa asnjë vlerë.Në analizën 300-ditore të punës së Ministrisë së Arsimit sot, Rama tha se "në muajin dhjetor, një nga agjensitë më prestigjioze ndërkombëtare, do të nisë procesin e akreditimit të të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, pa dallim, të shtetit apo të privatit sipas standarteve të BE-së."Sipas kreut të Qeverisë, "procesi i verifikimit për kushtet e ligjshmërisë në institucionet e arsimit të lartë do të sjellë një vlerësim të plotë dhe sigurisht, të gjithë bashkë, trupën drejtuese në të gjitha rajonet, prindërit, shoqërinë, për të bërë një operacion pa asnjë mëshirë, me tolerancë zero ndaj defiçencës, me tolerancë zero ndaj këtij biznesi makut që ka shkrirë para pa fund nga xhepat e prindërve të shkretë për të prodhuar një industri të tërë babëzie dhe diplomash pa asnjë vlerë dhe për ta bërë Shqipërinë në këtë sektor të posaçëm, vendin më qesharak të planetit.Ndaj, nuk do të kemi asnjë hezitim," - ka theksuar ai, - "që bazuar në ligjin e Republikës së Shqipërisë dhe bazuar në standartet e përcaktuara jo nga ne arbitrarisht, po nga ligji, të ndajmë një nga njera anë ata që meritojnë të shkojnë me tutje dhe ata që duhen nxjerrë absolutisht jashtë sistemit, sepse kanë nxjerrë veten jashtë sistemit dhe nuk mund të jenë më në pozitat e mashtruesve publikë për të vazhduar të grabisin paratë e prindërve të këtij vendi dhe për të vazhduar të shtojnë nivelin e defiçensës në këtë vend."E duke e vazhduar fjalën, Rama theksoi: "Dhe pastaj, në dhjetor, siç e kemi premtuar, do të vijë pjesa më e vështirë, por është pjesa që na takon, se kur kërkuam liri dhe demokraci në vitin '90, kërkuam pikërisht këtë: konkurencë, meritë, vlerësim, integrim në BE - kështu që në dhjetor, një nga agjensitë më prestigjioze ndërkombëtare, do të nisë procesin e akreditimit të të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, pa dallim, të shtetit apo të privatit. Të gjithë do të akreditohen me standartet e BE-së, jo me standartet e fisit, jo të krahinës, jo të standarteve të deridjeshmes.Renditja e universiteteve sipas cilësisë sigurisht që do të krijojë kushtet për konkurencë, por edhe një kusht themelor: Çdo prind do ta dijë se ku po investon! Çdo vajzë apo djalë do ta dijë paraprakisht se ku po tenton të futet dhe tregu do ta dijë se ku duhet të drejtojë sytë më shumë e ku më pak për të thithur burimet e reja njerëzore nga universitete reale,"- vuri në dukje ai.ar.sh/Oranews.tv