Nobeli i Paqes për BE, Nishani: Bekim për qytetarët e BE-së

Presidenti Nishani ka uruar Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, me rastin e marrjes nga Bashkimi Evropian të Çmimit Nobel për Paqen 2012. Përmes një mesazhi urimi Nishani ka vlerësuar se vendimi i Komitetit Norvegjez të Çmimit Nobel për Paqen për t`i akorduar Bashkimit Evropian, Çmimin Nobel për Paqen 2012 është një nder i madh për Bashkimin Evropian, një mirënjohje e veçantë për gjithçka që shtetet dhe institucionet e BE-së kanë bërë për formimin e Evropës së të ardhmes, në paqe, stabilitet dhe përparim.“Dëshiroj,me këtë rast që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t`ju uroj ju, zoti President, institucionet e Bashkimit Evropian, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 500 milionë qytetarët e tij.Ky çmim përbën njohjen më prestigjioze ndaj BE-së, për arritjet e saj historike, që fillojnë me pajtimin franko-gjerman, duke vazhduar me promovimin e demokracisë, rënien e Murit të Berlinit, integrimin evropian të vendeve të Evropës Juglindore, deri te përparimi i paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Shqiptarët në Kosovë kanë përfituar veçanërisht nga ky kontribut i BE-së” thekson Presidenti Nishani në urimin e tij.Më tej Presidenti thekson se ky vendim vjen në një moment historik për Shqipërinë, kur Komisioni Evropian i ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së, për t`i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, si një inkurajim për të ardhmen e përbashkët evropiane.“Duke ju uruar, gjithashtu, për kontributin tuaj personal për suksesin e Këshillit Evropian, ju lutem pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” -përfundon mesazhi i Nishanit.