Tiranë, vetëvritet babai i policit të vrarë nga Dritan Dajti
Vetëvritet me armë gjahu babai i efektivit të vrarë nga Dritan Dajti, Sajmir Duçkollari. Ngjarja e rëndë është shënuar paraditen e sotme në zonën e Selvisë në kryeqytet, ku Islam Duçkollari, babai i efektivit të ndjerë është gjetur i pajetë në banesë nga familjarët e tij.
Sipas policisë dyshohet se babai i efektivit të policisë i ka dhënë fund jetës në kushtet e depresionit ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sajmir Duçkollari u vra më 7 gusht të vitit 2009 në Durrës nga Dritan Dajti gjatë një aksioni për kapjen e këtij të fundit.
Së bashku me efektivin Sajmir Duçkollari u vranë edhe tre ofircerët e tjerë të policisë Fatos Xhani, Sajmir Feskaj dhe Altin Dizdari. Dritan Dajti ishte njeriu më i kërkuar atë kohë, pasi ishte dënuar për vrasjen e një biznesmeni dhe në mënyrë spektakolare ishte arratisur nga gjykata e Tiranës.