Kuçi: Rezoluta e Serbisë, për konsum të brendshëm

Kuvendi i Serbisë ka miratuar rezolutën për Kosovën. Me këtë rezolutë  theksohet që të gjitha bisedimet e ardhshme me Prishtinën duhet të jenë në përputhje me këtë dokument, e në veçanti insistohet në ngritjen e një autonomie për komunat serbe.Por këto pretendime të Serbisë asnjëherë nuk do të jenë në tryezën e bisedimeve në Bruksel.Kështu ka deklaruar Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi i cili ka thënë se Serbia po i bën këto veprime sa për konsum të brendshëm."Duhet të kuptojmë si një pjesë letre është vetëm në aspektin e brendshëm. Platforma e Serbisë nuk është në tavolinën e bisedimeve. Ata kanë dashur që ta bëjnë për konsum të brendshëm", ka theksuar Kuçi.Nga LDK është kërkuar që  ata që janë futur në këtë dialog  të japin shpjegime se çfarë duhet të arrijnë në këto bisedime dhe cili është objektivi i tyre. E ndërsa AAK-ja, parti kjo e përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, thotë se nuk janë risi veprimet e Serbisë për Kosovën.Ndërkohë analistët politikë mendojnë se veprimet e Serbisë janë strategji që pengojnë dhe dëmtojnë  Kosovën duke bërë që Beogradi të jetë sa më afër BE.Takimi i radhës ndërmjet dy kryeministrave Thaçi e Daçiç do të mbahet më 17 janar, ku zyrtarët në Bruksel e Beograd kanë paralajmëruar biseda për veriun, ndërsa zyrtarët qeveritarë të Kosovës kanë thënë se në këtë takim do të diskutohet për shpërbërjen e strukturave paralele.