Kosovë, nisin përgatitjet për 5 vjetorin e pavarësisë

Këshilli Organizativ për Shënimin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, i cili udhëhiqet nga zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka mbajtur sot një takim pune, ku është diskutuar mbi rolin, angazhimin, detyrat dhe përgjegjësitë e këtij Këshilli në organizimin e aktiviteteve për këtë përvjetor.Në takim, ku morën pjesë shumë zyrtarë të lartë shtetëror, është rënë dakord për një koordinim sa më të mirë të aktiviteteve të të gjitha institucioneve që do të jenë pjesë e organizimeve shtetërore për nder të Ditës së Pavarësisë.Këshilli Organizativ për Shënimin e 5-Vjetorit të Pavarësisë në këtë takim është pajtuar edhe për formatin e festimeve për nder të Ditës së Pavarësisë.Ceremonitë kryesore do të jenë: Akademia Solemne dhe Koncerti i Filharmonisë së Kosovës; Parada e Pavarësisë; Homazhe në Varrezat e Dëshmoreve në të gjithë Kosovën; Seanca Solemne e Kuvendit të Kosovës; Koncerti i Pavarësisë që do të organizohet në sheshin “ Nënë Tereza” në kryeqytet, etj.Pjesë e festimeve për Ditën e Pavarësisë do të jetë edhe shënimi i Përvjetorit të Themelimit të Universitetit të Prishtinës, i cili është në 15 shkurt. Ky aktivitet do të koordinohet me Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.Ceremoni festive do të organizohen edhe në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa ambasadat e Kosovës në botë do të organizojnë pritje për nder të Ditës së Pavarësisë. Kryetari i Këshillit Organizativ, zv/kryeministri Hajredin Kuçi ka kërkuar nga anëtarët e Këshillit Organizativ angazhim maksimal në mënyrë që Festa e Pavarësisë të jetë sa më dinjitoze.