Kroaci, Nishani në samitin e biznesit: Shqipëria mundësi për invesitorët e huaj
Presidenti Bujar Nishani mori pjesë në takimin e kryetarëve të shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po zhvillohet në Kroaci, aktivitet që mbledh 100 përfaqësues të biznesit të Europës Juglindore, i cili u shpreh se nëpërmjet bashkëpunimit rajonal të ecim drejt integrimit në BE. Gjithashtu Nishani u shpreh se Shqipëria është një vend që ofron mundësi për investitorët e huaj."Jemi mbledhur me vizionin dhe vullnetin e përbashkët për të mbështetur politikisht, dhe nëpërmjet projekteve konkrete në infrastrukturë dhe energji, një nivel të ri të bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, me synimin e përbashkët, integrimin evropian. Pjesëmarrja e Kancelares Merkel i jep takimit tonë një dimension të veçantë dhe garanton suksesin e tij."Sipas kreut të shtetit shqiptar po punohet fort për ndërtimin e infrastrukturës ligjore dhe fizike të standardeve evropiane, në nivel kombëtar, rajonal dhe më gjerë, me qëllim që, në përputhje me pritshmëritë tuaja, të lehtësojmë përpjekjet e përbashkëta për krijimin e një tregu të unifikuar dhe konkurrues."Do të doja të shihja këtu edhe kompani që operojnë në Shqipëri.Vendi im, i cili sapo fitoi statusin e vendit kandidat për në BE, ofron mundësi të mëdha, falë burimeve të shumta natyrore, bukurive bregdetare dhe malore, trashëgimisë së pasur kulturore, si dhe ambientit miqësor për investimet e huaja. Shqipëria ka një popullsi të re, shumë vitale, të aftë t`i ofrojë tregut një fuqi punëtore konkurruese. Falë zbatimit të projektit "brain gain" janë rikthyer ekspertë cilësorë, të cilët e kishin lënë Shqipërinë më parë, duke sjellë me vete edhe kualifikimin dhe eksperiencën në vendet ku kanë jetuar"Kreu i shtetit shqiptar kujtoi edhe Pozicionin gjeografik të vendit tonë që ka dhënë Shqipërisë statusin e portës hyrëse për rajonin në mënyrë fare natyrale. Projektet madhore, si: Trans Adriatic Pipeline (TAP) dhe Korridori Adriatiko-Jonian janë bërë një domosdoshmëri nga pikëpamja gjeostrategjike, veçanërisht, pas krizës në Ukrainë.