Jahti gjigand i Zelandës së Re me helikopter në bord ankorohet në Sarandë

Sarandë- Që prej së dielës ndodhet i ankoruar në gjirin e Sarandës një jaht gjigant i quajtur T6 me flamur të Zelandës së Re.I veçante për llojin e vet ky jaht mban në bord edhe një helikopter i modelit të fundit i markës eurocopter. Identiteti i personave në bordin e këtij jahti nuk bëhet i ditur por burime nga Porti i Sarandës bëjnë me dije se personat në bord janë të shoqëruar nga drejtori i agjensisë kombëtare të bregdetit, Auron Tare.Të kontaktuar me zotin Tare mësojmë se, " personat në bordin e anijes T6 që janë vetëm dy, janë persona të njohur në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore të nivelit ndërkombëtar.Këta persona janë ftuar në vendin tonë për një vizitë nga Agjensia Kombëtare e Bregdetit për të parë mundësinë e bashkëpunimit në fushën e ruatjes dhe mbrojtjes bregdetare në Shqipëri".Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Sarandë nga bordi i jahtit T6 është ngritur  edhe helikopteri për të kryer disa fluturime mbi Sarandë,  një ngjarje e rrallë kjo për qytetin turistik, që është mësuar të shohë shpesh flutirime të helikopterit që kërkohet për transportim të të sëmurëve drejt kryeqytetit për ndihmë.Duhet theksuar se vetem në muajin e fundit në Portin e Sarandës kanë ardhur disa mega jahte, të cilat kanë sjelle mjaft gjallëri në këtë  qytet.