Basha–Nuland: Presioni i qeverisë mbi drejtësinë, alarm për stabilitetin në Shqipëri

Tiranë – Kryebashkiaku Lulzim Basha i ka deklaruar sot, N/Sekretares Amerikane Victoria Nuland, që po viziton Tiranën zyrtare, se presionet që po ushtron Qeveria për të kapur drejtësinë në vend, janë një këmbanë alarmi për stabilitetin në vend.Gjatë një takimi që ka zgjatur përtej parashikimit, Basha ka theksuar nevojën për konsolidimin e sistemit të drejtësisë, duke luftuar rastet e korrupsionit dhe duke rritur pavarësinë e tij, por kjo mund të bëhet vetëm përmes bashkëpunimit më të gjërë të mundshëm mes forcave politike, drejtësisë dhe institucioneve ndërkombëtare.Po ashtu, kreu i PD-së e njohu Nuland me shqetësimet e opozitës për zhvillimet në vend, si kapjen e institucioneve të pavarura, moszbatimin e vendimit të gjykatave nga qeveria, pushimet masive në administratë në kundërshtim me Ligjin për Nëpunësin Civil, futjen e elementëve kriminalë në strukturat shtetërore dhe bllokimin politik të pushtetit vendor në kundërshtim me interesat e qytetarëve .Konkretisht, ai e informoi zyrtaren e lartë amerikane për kapjen e institucioneve të pavarura nga qeveria, si ILDKP, AMA, për moszbatimin e vendimit të gjykatave në rastin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Nëpunësit Civil, për ngritjen e komisioneve parlamentare hetimore apo për kompetencat e INUK.Në përfundim, duke u ndalur tek rasti i goditjes dhe kërcënimit me jetë të deputetit Strazimiri në Kuvend, Basha tha se Partia Demokratike është e shqetësuar për faktin se Kryeministri ka ngritur në parlament një strukturë dhune me elementë kriminalë për të kërcënuar opozitën dhe fjalën e saj.armanda shtembari/Oranews.tv