Artistët e TKOB s'kanë marrë rrogën e qershorit, peticion për largimin e drejtorit Ilir Kerni

Një pjesë e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit kanë firmosur një peticion ku kërkojnë largimin e drejtorit Ilir Kerni.82 artistë, këngëtarë, balerinë, instrumentistë dhe artistë të tjerë kanë shfrytëzuar orarin e provave për të firmosur këtë peticion. Peticion për shkarkimin e Kernit lidhet pakënaqësitë ndaj situatës së krijuar në këtë institucion, por ajo që i shqetëson më shumë është moskalimi i pagave për muajin qershor.“ Sot konstatojmë se nuk është urdhëruar kalimi i pagave nga ana e drejtorisë. Mbasi u konfirmua nga zyra ekonomike se është kryer e gjithë procedura për kalimin e pagave, refuzimi juaj ju ngarkon me përgjegjësi morale, civile dhe penale. Për këtë arsyeje kërkojmë firmosjen e menjëhershme të urdhrit për kalimin e pagave të punonjësve për muajin qershor dhe largimin e menjëhershëm të drejtorit të TKOB”, thuhet në një pjesë të peticionit të firmosur nga artistët.Ndërkohë prej disa muajsh ky institucion përfshihet herë pas here nga protesta kundër kontratave të propozuara nga Ministria e Kulturës dhe TKOB, afati i së cilës ishte i ndryshëm për kategori të ndryshme artistësh.