Afganistan, atentat kamikaz 16 të vrarë, mes tyre 4 ushtarë të NATO-s

Një atentator vetëvrasës ka vrarë mëngjesin e kësaj të marte 16 persona, mes të cilëve edhe 4 ushtarë të NATO-s, në një sulm në rrethinat e bazës ajrore të Bagramit, në veri-lindje të Afganistanit.Të paktën 10 civilë dhe 2 oficerë policie kanë mbetur të vrarë nga ky sulm, që ndodhi pranë një klinike në afërsi të bazës më të madhe amerikane në vend. Sulmi vjen në një moment krize të shkaktuar nga rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.Kandidati humbës, Abdullah Abdullah deklaron se do të krijojë një "qeveri paralele" nëse rivali i tij Ashraf Ghani del zyrtarisht fitues. Mbështetësit e kandidatit Abdullah Abduillah kanë planifikuar të dalin në protesta nëse rezultatet nxjerrin fitues rivalin e tij.Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka paralajmëruar se një dështim në pranimin e rezultateve mund të dëmtojë sigurinë dhe stabilitetin e vendit, edhe në planin financiar.Kryediplomati amerikan tha gjithashtu se cilado nga palët që mund të ketë kryer mashtrim me rezultatet e zgjedhjeve, do t’i nënshtrohet një hetimi të kërkuar nga SHBA-të. Aktualisht ish-ministri i Financave, Ashraf Ghani po udhëheq garën elektorale për të zëvendësuar Hamid Karzain si president të vendit.Sipas Komisionit Zgjedhor, në këtë pikë kyçe të procesit Ghani kryeson me afërsisht 56% të votave. Nga ana tjetër Abdullah, me 43% të votave, tha se ka dyshime mbi rezultatet paraprake dhe pas raundit të parë ka nisur rinumërimi në mijëra qendra votimi.Ai është shprehur qartë se do të respektojë fitoren e rivalit politik vetëm nëse vërtetohet se zgjedhjet kanë qenë të drejta dhe me një rezultat 'legjitim'.