Ka më shumë se fe dhe nacionalizëm pas protestave në Shkup

Shqiptarët e Maqedonisë janë në protestë dhe përtej flamujve, thirrjeve nacionaliste apo atyre fetare që kanë bërë përshtypje në Tiranë, përplasja e tyre me policinë i ka rrënjët tjetërkund. Radio “Evropa e Lirë” shkruan se protestat vijnë pas rasteve të shpeshta të dënimeve dragoniane kundër shqiptarëve në Maqedoni dhe përfshirjes së politikës në rastet gjyqësore duke i parë ato etnikisht.Protestat e fundit bëhen pas dënimeve të ashpra kundër atyre që akuzohen për të ashtuquajturin rasti “Mostra”.  “Shkaqet e protestave kundër proceseve gjyqësore, sikurse dhe të tensioneve të tjera në relacionet ndëretnike, duhen kërkuar tek institucionet dhe mungesa e gatishmërisë së tyre për të ngritur organe të pavarura gjyqësore, thonë njohësit e çështjeve politike në Maqedoni”,- raporton radio “Evropa e Lirë” pasi ka folur me disa ekspertë maqedonas dhe shqiptarë.Njëri prej tyre, Petar Arsovski, analist dhe njohës i çështjeve të ndëretnicitetit, thotë se arsyeja pse protestat u ndezën është sepse ka dyshime mbi pavarësinë e gjyqësorit. “Kjo gjithashtu është pasojë edhe e dështimit të përpjekjeve që ky rast të trajtohet thjesht si të gjitha lëndët e tjera gjyqësore. Pra, njerëzit në terren këtë nuk e ndjejnë si diçka të tillë, por e përjetojnë si rast etnik, andaj edhe paraqiten situata të këtilla”, – thotë ai. Situata në këtë rast doli nga shinat e një trajtimi gjyqësor që pas arrestimit të të akuzuarve.Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska doli atëherë pas arrestimit të grupit, duke i shpallur ata terroristë islamikë dhe duke deklaruar se krimi ishte bërë për motive fetare. Pjesa më e madhe e atyre që u arrestuan, sidoqoftë u liruan pak ditë pasi policia i kapi gjatë një bastisjeje të dhjetëra shtëpive në Shkup. Prokuroria po ashtu ka mbajtur të njëjtin qëndrim ndaj çështjes. Mediat në gjuhën shqipe raportojnë se ajo nuk ka paraqitur asnjë provë, ndërsa ka këmbëngulur në përkatësinë fetare të të arrestuarve, duke ilustruar motivin e krimit me metafora poetike. “Porosia është: Qëllojmë të enjten e madhe që t’ua përgjakim Pashkët – përfundimi, që t’ua zhdukim fenë.Qëllojmë mbi djem të rinj që t’ua zhdukim kombin – përfundimi, qëllojmë mbi të ardhmen e shtetit.  A nuk mjafton kjo për motivet e veprës penale dhe qëllimin për të shkaktuar frikë dhe jo siguri tek qytetarët?” – tha prokurorja Gordana Geshovska në fjalën e saj përfundimtare.  Avokatët thonë se këto janë mesazhe që prokurorja i  shkroi vetë, pa paraqitur asnjë provë që do i dokumentonte ato, përveç faktit se të arrestuarve u ishin gjetur këngë të reperit Gold Ag, i famshëm për gjuhën e urrejtjes në fjalët e tij dhe me dëshmitarë që kanë ndërruar disa herë dëshminë në gjyq. “Prokuroria i ka dhënë një konotacion ndëretnik dhe ndërfetar, nuk ka të bëjë asgjë me realitetin. Kjo është një nxitje, kjo është një urrejtje, kjo është një maltretim. E kam pushtetin në duar, kam sistemin, e ti nuk guxon me bë asgjë!” – tha Aqif Sejdiu, xhaxhai i njërit prej të akuzuarve një muaj më parë kur u lexua pretenca. Por nuk bëhet fjalë vetëm për rastin “Mostra”, që sipas shqiptarëve është një proces i stisur etnikisht. Portali online INA raporton një numër të madh rastesh ku shqiptarët në Maqedoni dënohen për terrorizëm apo krime të ngjashme, ndërsa nuk ka persekutime për maqedonasit apo edhe kur ka, dënimet janë disa herë më të lehta. Policia po ashtu vepron me dy standarde.Shkrimtari nga Shkupi, Kim Mehmeti, shkruan në faqen e tij zyrtare në Facebook se policia e FYROM i përdor bombat me gaz lotsjellës vetëm kundër shqiptarëve. “Vallë ku ishte fshehur kjo polici gjatë natës, kur huliganët maqedonas demolonin pronat e shqiptarëve në lagjen ‘Gjorçe Petrov’ të Shkupit?! Mbase aty ku janë strukur edhe drejtuesit e BDI-së qeveritare, të cilët nuk na tregojnë se mos vallë bombat shokuese dhe lotsjellëse, të blera edhe me paratë tona, policia maqedonase guxon t’i përdorë vetëm kundër protestuesve shqiptarë!”- shkruan Mehmeti.Ai këmbëngul po ashtu se protesta nuk është për motive fetare, por për shkak se shqiptarët janë të përjashtuar, të paragjykuar dhe nuk ndjehen si në vendin e tyre. “Gazetarët më pyesin pse rinia shqiptare shkupjane protestat e veta i fillon nga oborret e xhamive! Po pse, u them atyre, mendoni se do u lejonte dikush, për shembull, që ata të grumbulloheshin të papenguar përpara godinës së Universitetit të Tetovës në Shkup, që e kontrollon BDI-ja, apo te sheshi i ‘Skënderbeut’ që është bërë pronë e kësaj partie shqiptare, si dhe nëpër sheshet tjera me përmendoret e Car Dushanëve në to, e që janë vendgrumbullim vetëm për protestuesit maqedonas!?”- shkruan shkrimtari nga Shkupi Kim Mehmeti sa u përket protestave. Mehmeti ngulmon se shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në Maqedoni, ndërsa partitë politike shqiptare kanë vetëm synimin të mbërrijnë poste qeveritare, ndërsa hapësira për shqiptarët ngushtohet gjithmonë e më shumë.“Andaj mos pyetni, por shkruani se rinisë më progresive të shqiptarëve të Maqedonisë, asaj shkupjane, i është ngushtuar hapësira aq sa i janë lënë vetëm lagjet e ngushta të pjesës së vjetër të Shkupit, ku jetojnë shqiptarët, se atyre qëllimisht u janë lënë vetëm oborret e xhamive, ku ata e ndjejnë se vetëm aty ende nuk është zgjatur gjithaq dora policore!”- shkruan Mehmeti edhe në përgjigje ndoshta të drojës për t’u dhënë përkrahje protestave në Maqedoni nga Tirana dhe Prishtina. Kim Mehmeti shkruan edhe se të rinjtë protestues nuk duhet të qëllojnë mbi policinë, sepse kjo do të përdorej kundër tyre ndërsa thotë se ata kanë përballë “një regjim që ndërton institucione shtetërore, që shqiptarët nuk i ndjejnë si të vetat!”.Ndërkaq, u bëri thirrje atyre që të protestonin sepse në rrezik ishte shqiptaria e jo feja. “Njësoj siç duhet thënë këtyre të rinjve, të cilët politikat e partive të këtushme shqiptare i lanë në rrugë, se neve na është rrezikuar shqiptaria e jo feja, se duke mbrojtur shqiptarinë ne i mbrojmë gjitha veçoritë që e përbëjnë vëllazërinë shqiptare!” Protestat në Maqedoni vijuan ndërkohë edhe dje mes thirrjeve nacionaliste dhe atyre fetare. Në Shkup, Tetovë dhe të tjera qytete me shumicë shqiptare mijëra vetë kanë dalë në rrugë, e ndërsa në Tetovë ka pasur përplasje me policinë, pjesa tjetër e protestave vijoi e qetë dhe protestuesit hodhën thirrje kundër qeverisë dhe krerëve të partive politike shqiptare. Reagimet e partive politike shqiptare në Maqedoni kanë qenë të vakëta.BDI bëri thirrje për distancim nga dhuna, ndërsa kreu i PDSH-së kërkoi që protestat t’i jepnin përkrahje partisë së tij dhe të kërkonin fundin e BDI-së. Sipas bilancit të fundit të Ministrisë së Brendshme në Maqedoni, në protesta janë plagosur afër 30 policë dhe disa protestues, por nuk dihet numri i saktë i tyre, ndërsa dhjetëra të tjerë janë ndaluar. Nga ana tjetër tensionet duken në rritje. Nga ana shqiptare janë shtuar thirrjet e dhunshme dhe po ashtu mesazhet e përziera mes fesë dhe etnisë.Marrë nga MAPOar.sh/Oranews.tv