Kosovë, posti i Kryetarit të Kuvendit mund të përfundojë në Kushtetuese
Kosovë - Pas kërkesës për interpretimin e neneve të Kushtetutës që flasin për mandatimin e Qeverisë, prej Gjykatës Kushtetuese mund të kërkohet edhe një interpretim për çështjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.Kjo mund ta vonojë konstituimin e Qeverisë, pasi fillimisht duhet votuar për kryetarin dhe për Kryesinë e Kuvendit, para zgjedhjes së kryeministrit dhe kabinetit të tij. Me kushtetutë, deputetët mund të referojnë çështje në Gjykatën Kushtetuese nëse është shkelur Kushtetuta gjatë zgjedhjes së Kuvendit.Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, bashkë me partnerët e koalicionit po insiston se posti i kryetarit të Kuvendit i takon asaj. Në anën tjetër, partitë e bllokut opozitar, të cilat po synojnë të jenë të mandatuarit për krijimin e Qeverisë së ardhshme, kanë vendosur të krijojnë edhe një grup të përbashkët parlamentar.Kjo do të bëhet me qëllim që të sigurojnë postin e kryetarit të Kuvendit, ashtu siç precizohet në marrëveshjen mes LDK-së, AAK-së e Nismës. Ky post, sipas marrëveshjes, është rezervuar për Isa Mustafën. Sipas Kushtetutës dhe Rregullores sipas së cilës funksionon Kuvendi, i takon grupit më të madh parlamentar ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.Marrë nga Gazeta Exspressar.sh/Oranews.tv