Idrizi - çamëve: S'u mblodhëm për të filluar një vajtim kolektiv, por të bëhemi forcë

Fjala e plotë e kreut të PDIU-së, Shpëtim idrizi, mbajtur sot në tubimin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit"

Të dashur motra e vëllezër çamë,

Të dashur motra e vëllezër nga Shqipëria dhe gjithë viset etnike të shqiptarëvve në Ballkan, në Turqi, dhe kudo që jetojnë në botë,

Jemi mbledhur këtu sot 70 vjet pas eksodit biblik të parardhësve tanë, që u shkulën prej tokës së të parëve, nga Camëria jonë e bukur.

Seicili prej nesh, ka një apo më shumë njeri të gjakut të vet që ka vdekur tragjikisht në atë tragjedi të madhe.

Seicilit prej nesh i pikon zemra gjak kur e kujton atë mënxyrë.

Seiicili prej nesh, ne të gjithë po lutemi sot për shpirtrat e tyre që të prehen të qetë, atje ku kanë rënë, megjithëse më e shumta pa një varr në kokë.

Nuk jemi këtu për të filluar ndonjë vajtim kolektiv për gjëmën që ka na rënë dhe që s’po mundemi ta shërojmë as me vaje, dhe as me këngë.

Ne jemi këtu për ta shndërruar forcën tonë, forcën e 300 mijë çamëve në Shqipëri, forcën e mbi 10 milionë shqiptarëve në Ballkan dhe në botë, në forcën zgjidhëse të tragjedisë më të madhe të shqiptarëve që ende ka mbetur e pazgjidhur.

Ky tubim mund të ishte kryer kudo ku jetojnë shqiptarët. Në Sarandë, në Shkodër, në Korçë apo Durrës. Në Prishtinë apo në Tetovë.

Ne zgjodhëm Tiranën, si kryeqytetin e kombit tonë.

Si kryetar i PDIU-së, jam shumë i lumtur që kauzën e zgjidhjes së çështjes së gjyshërve tanë, të baballarëve tanë, çështjen e varreve të të parëve tanë, të pronave të tyre, të atdheut të tyre, ne e kemi shndërruar në kauzë kombëtare.

Për këtë kauzë flitet kudo ku flitet shqip.

Gjatë gjithë kohës që PDIU është themeluar, gjatë gjithë kësaj jave në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup, në Janinë, kudo po flitet për çështjen çame. Po flitet në Bruksel dhe në Uashington.

Po flitet në Parlament dhe në Presidencë. Në universitete dhe kudo.

Kemi gjithë javën që po nderojmë të vdekurit tanë. 70 vjetori nuk është një përvjetor që mund të harrohet.

Sic e dini të gjithë ne para pak ditësh, morëm dritën jeshile për statusin e kandidatit për Bashkimin Europian.

Ky është një lajm i madh të nderuar vëllezër, jo thjesht për gjithë shqiptarët, por në veçanti për gjithë çamët.

Kur 70 vjet më parë grekët, larguan pjesën më vitale, pjesën më luftarake të popullsisë së vet, paraardhësit e të cilëve kishin themeluar Greqinë moderne, ne çamët ishim vetëm.

Nuk na u gjendën pranë as anglezët. As amerikanët që gjendeshin në territorin grek. Me ndonjë përjashtim të vogël. Nuk na u gjend pranë as atdheu, as shteti ynë i dobët.

Kur 70 vjet më parë, pasardhësit e Xhavellës, Bocarëve, Andrucove, |Shkurtanjëve, u përzunë, u vranë në mënyrë të përgjakshme, çamët ishin vetëm me veten e tyre.

Shqipëria, atdheu ynë  kishte zgjedhur komunizmin si nënë dhe si babë. Fati ynë u sakrifikua për hir të aleancave ideologjike.

Atdheu ynë nuk i dha viktimave që sot dergjen në Qafë Botë, as dhe një varr. E dimë që s’kishte mundësi në atë ditë, por nuk e bëri këtë për 45 vjet.

Enver Hoxha kishte vendosur ta  mbante Shqipërinë vetëm. Pa perëndimin, pa Europën.

Dhe kështu ne çamët, pjesa më patriotike e popullit shqiptar brenda kufijve londinezë mbetëm edhe më të vetmuar. Më të diskriminuar.

Shqiptarët në atë kohë s’ishin as të bashkuar mes vedi, as të bashkuar me Europën.

Sot në kohën e lirisë, ne PDIU, që e kuptuam se pa një parti të çështjes kombëtare, çështja çame do të mbetej vetëm çështja jonë,çështje e një komuniteti, dhe jo e një kombi të tërë.

Ne të PDIU-së jemi dhe parti kombëtare dhe parti europiane.

Ne të PDIu-së jemi dhe parti e bashkimit kombëtar dhe parti e integrimit europian.

Ne e dimë mirë se pa bashkim kombëtar shqiptarët do të jenë më të dobët përballë fqinjëve dhe botës.

Ne të PDIU-së, jemi sot partia e vetme që mban të gjallë flamurin e shqiptarizmit në parlament.

Kjo është arsyeja pse ne jemi aleatët më të fortë të Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë që e vetme mban të palëkundur flamurin kombëtar.

Vetëvendosja ishte partia e vetme që në këto zgjedhje e mbajti të hapur çështjen e bashkimit kombëtar.

Do ju lutesha të përshëndetnit me një brohoritje të fortë Albin Kurtin, liderin heroik të Vetëvendosjes, njeriun që nuk lëkundet për mbrojtjen e kauzës sonë kombëtare, e kauzës çame.

Me Shpend Ahmetin, kryetarin e Prishtinës nga Vetëvendosja, ne e bëmë të hënën, Prishtinën si Tiranën. Ne e bëmë Kosovën që të thotë njëzëri me Shqipërinë: ne e duam Camërinë.

PDIU ja ka mbërritur të shndërrohet në parti e cështjes kombëtare. Në parti e të gjithë shqiptarëve. Nga jugu në veri. Brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë së copëtuar në 1912.

Pse? Ne të bashkuar jemi më të fortë jo vetëm në zërin tonë.

Ne të bashkuar do kemi një ekonomi më të fortë, shkolla më të mira, porte të rëndësishme, hidrocentrale dhe termocentrale të përbashkët, hekurudha të përbashkëta, parlament të përbashkët. NE do t’i heqim kufijtë edhe politikë mes nesh.

Ne do ja rikthejmë kombit, por kësaj here të përbashkuara gjithë burimet natyrore që i ka dhënë zoti. Nga jugu në veri, nga perëndimi në lindje.

PDIU e don Shqipërinë si gjithë Europa dhe brenda Europës.

PDIU e don lëvizjen e lirë të shqiptarëve, të Kosovës në gjithë Europën.

PDIU e do bashkimin kombëtar së bashku me Bashkimin Europian.

Mesazhi i ministrave të jashtëm që sot do forcohet me atë të kryeministrave të Europës është se ne e duam Shqipërinë brenda Europës.

Ne do ta sinkronizojmë bashkimin kombëtar, kohën tonë, me kohën e Europës dhe të Perëndimit.

Unë dua t’juy pyes: a do clirohej Kosova, nëse ne, nëse UCK nuk do ishim aleatë me Perëndimin?

Jo dhe Jo.

Unë sot dua t’ju pyes: a do ndodhte ajo që ndodhi në Camëri nëse ne do ishim aleatë me Perëndimin dhe jo me Moskën si bëri Enver Hoxha?

Jo dhe Jo.

Sot ne eduam Europën, pse brenda Europës ne do të jemi të barabartë me Greqinë.

Ne e duam Europën se brenda saj, ne do të kemi mundësi të bëjmë drejtësi europiane, drejtësi perëndimore.

Brenda Europës ne do të themelojmë reciprocitetin e vërtetë.

Brenda Europës kanë të njëjtën peshë dhe qipriotët dhe gjermanët, kur është fjala tek vota.

Gjykatat Europiane bëjnë drejtësi pavarësisht madhësisë së shteteve.

Me Europën, me Perëndimin në krah ne do të bëjmë drejtësi për krimet e luftës.

Për grabitjet e pasurive tona të mëdha.

Ne do t’i japim varre të parëve tanë.

Ne do krijojmë një hapësirë të pakufishme lirie për shqiptarët, për çamët, për ne të gjithë.

Sot ka ardhur koha e drejtësisë, nesër është vonë.

Rroftë Camëria, rroftë Kosova, rroftë Shqipëria!