Sarandë, vijojnë festimet për javën çame, mbushet plot stadiumi i lojrave me dorë

Sarandë- Pas startit, mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Sarandës Festivali i këngës dhe valles për Çamërinë, ka mbledhur në skenë të tjerë artistë.Në natën e dytë stadiumi i lojërave me dorë "Aleko Dajko" në qytetin e Sarandës ishte mbushur plot. Në shkallët e stadiumit numri i shtuar i pjesëmarrësve tregoi se nga nata në natë grupet artistike qofshin ato konkuruese apo edhe përshëndetëse të Festivalit ndiqen me vëmendje dhe ilaritet nga qytetarët sarandiotë.I pari që u ngjit në skenë në natën e dytë ishte grupi artistik i fshatit "Markat", për të vazhduar me Ansamblin Artistik "Mjelmat e Prishtinës", me Sazet e Delvinës, Ansamblin e Podgoricës, i cili u bë pjesë e këtyre netëve në Sarandë i ardhur enkas vetëm për të përshëndetur Festivalin, Ansambli "Bajram Curri" Prishtinë, si edhe Sazet e fshatit Shkallë.Nata e dytë u mbyll me përshëndetjen e Ansamblit "Kemal Aziz" nga Vitia e Kosovës.