Tiranë, vihet në pranga një punonjës i tatimeve

Policia e shtetit në sajë të operacionit të koduar “Amnistia” ka bërë të mundur arrestimin e një punonjësi të tatimeve dhe bashkëpunëtorit të tij të cilët akuzohen për korrupsion pasiv.Zëdhënësja e policisë së shtetit deklaroi në një konferencë për shtyp se janë arrestuar shtetasit Hysen Çibuku 55 vjeç, me detyrë Inspektor në njësinë e tatim paguesve të mëdhenj (VIP) pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë dhe Erlind Idrizaj 24 vjeç , i punësuar si ekonomist pranë një subjekti privat.Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale të kryera ka rezultuar se këta dy persona, në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë kërkuar përfaqësuesit të një biznesi shumën prej 30 milionë lekësh (të vjetra), për të mundësuar faljen e një gjobe të vënë ndaj tij nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.Konkludimi me sukses i këtij operacioni është bërë i mundur pas një hetimi intensiv, të shtrirë në një hark kohor prej mbi 5 muajsh, të strukturave të Sektorit kundër Korrupsionit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me njësinë e përbashkët hetimore task-forcë.