Kosova priti Vitin e Ri 2013, ndërrimi i viteve u përcoll nga sheshi “Nënë Tereza”

Fishekzjarre të shumta janë hedhur mbi qiellin e kryeqytetit me rastin e ndërrimit të motmoteve. Derisa, shumica e qytetarëve kanë zgjedhur ambientet familjare, apo edhe restorante të ndryshme, disa kishin zgjedhur që të festojnë në atmosferë të hapur.Dhjetëra qytetarë kishin zgjedhur sheshin “Nënë Tereza” për të pritur ndërrimin e motmoteve, edhe pse nuk kishte një organizim zyrtar për këtë rast. Disa prej tyre janë të kënaqur me mënyrën si është festuar kjo festë, derisa të tjerët janë skeptik dhe shprehen se ka munguar një organizim i mirëfilltë.Qytetari Afrim Rexhaj, kishte ardhur nga Zvicra për të festuar me familje në Kosovë, kurse shprehet i kënaqur me atmosferën festive në kryeqytet.“Natën e Vitit të Ri e kemi kaluar në shtëpi, në familje dhe tash kemi dalë pak. Kemi ardhur prej Zvicrës, vetëm për Vitin e Ri dhe pas katër pesë dite kthehemi. D.m.th në Kishnicë për Vitin e Ri me familje. E kemi kaluar shumë mirë, si gjithmonë, sofrën e kemi pasur plotë, tash dolëm pak me shëtit. Është hera e parë që dalim kështu në Prishtinë, është fantazi është, zbukurimi është shumë i mirë, që as në perëndim nuk e kemi kështu”, tha ai.Për vitin që sapo kemi hyrë, qytetari Rexhaj shprehet se duhet të luftohet korrupsioni si dhe të ulet papunësia.“Nga viti 2013, ka shumë që pritet, por së pari ta luftojmë korrupsionin, papunësinë. Këto janë primare, për të tjerat pastaj. Është dëm shumë i madh, kemi rini shumë të papunë dhe ata kërkojnë punë, për të evituar të këqijat e tjera duhet punë”, shprehet ai.Edhe qytetari tjetër Kushtrim Beqiri shprehet se pret një të ardhme më të mirë në vitin që sapo kemi hyrë.“Kemi kaluar shumë bukur, me familjarë, me miqësinë që i kemi pas...Presim të ardhme më të mirë”, tha ai.Ndërsa qytetari Ariad Munishi shprehet se organizim këtë vit ishte më i dobët.“Mirë shumë. Jo si herave të tjera, veç mirë. Ishte më dobët në të gjitha qytete e Kosovës. Për shkak të krizave të ndryshme që ishin politike e të tjera. Natën e Vitit të Ri e kemi kaluar në familje. S’ka pas lidhje me organizime. Ma mirë që nuk ka pas edhe ashtu krizë. Vitin 2013 presim me u ndreq punët për shtetin e Kosovës dhe gjithçka të mirë”, shprehet ai.Edhe një qytetar tjetër që kishte ardhur po ashtu nga mërgimi për të festuar në Kosovë, shprehet i kënaqur me atmoferën festive.“Natën e Vitit të Ri e kemi kaluar shumë bukur. Kjo është hera e parë pas njëzet vitesh që vijë në Kosovë për Vit të Ri. Jetoj në Gjermani, me familje kemi ardhur. Kemi qenë në gjirin familjar dhe kemi kaluar shumë mirë. Fëmijët nuk kanë qenë më parë, djali sefte ka ardhur për Vitin e Ri dhe patëm qejf me dalë në qytet. Për vitin 2013 presim që, për dëshirë time kish me qenë më pas punë ma tepër, të ketë brenga pak më pak për mjete financiare, për punë, mos te ketë inate mes vllaznive, t’i ndihmojnë njërit-tjetrit sa më tepër, korrupsioni d.m.th. të luftohet pak me të dhe të ketë një ndriçim ma të mirë për shqiptarët. Ju uroj të gjithë shqiptarëve Vitin e Ri”, shprehet ai.