‘Pezm’ për parcelën e hashashit të ministrit (a ish-ministrit)
Kjo është një foto e Lazaratit e gushtit të shkuar, parë nga Antigonea. Siç duket, gjithçka përreth është e përzhitur, veç plantacioneve të marihuanës në sfond.Ato ditë rreth Lazaratit kishte shumë trazira, dhe im bir, i cili u kishte premtuar shokëve të tij holandezë, se do t’u dërgonte foto ekskluzive nga ky fshat i çuditshëm, ku rritja e marihuanës ishte e ‘legalizuar’, nuk mundi të shuante kureshtjen e tij.Thashethemet në Gjirakastër thonin se trazirat kishin nisur ngaqë lazaratasit ishin të detyruar të ndërronin shefa, nëse donin të mbijetonin pas ndërrimit të pushtetit pas zgjedheje të qershorit. Taksisti që na shoqëroi për në Antigone, më rrëfeu një histori të tërë rreth Lazaratit dhe ca të tijve që kultivonin me vite marihuanë atje, e mjaftë kjo për një roman. Por të gjithë këtë do ta kisha harruar, me dëshpërimin se Lazarati ishte një histori e pandreqshme turpi në demokracinë tonë, sikur orët e para të aksionit të policisë së ditëve të fundit, të mos kisha takuar një holandez, një kultivues lulesh, që më rrëfeu si me të qeshur një histori, që mua më ngjau tronditëse, besoj edhe për çdo shqiptar është e tillë. Disa kohë më parë në zyrën e tij ia kishte behur një tregtar shqiptar kimikatesh, i cili i kishte kërkuar një pjellorues kimik për tulipanët e vilës së re të një miku të tij, ministër në Shqipëri, madje i lutej ta ndihmonte shpejt, pasi lulet e kopshtit të ministrit ishin në gjendje te vajtueshme, dhe kjo e kishte mërzitur shumë mikun e tij me pushtet.Holandezi i luleve ma tha edhe emrin e kimikatit, por s’e kujtoj dot, dicka që kishte lidhje me përmirësimin e pehashit të tokës. Por di se i kishte kthyer këtë përgjigje: “Pjelloruesi kimik që po kërkon, nuk është për tulipanë, por për marihuanë” . Tregtari shqiptar ishte skuqur, kishte ulur kokën, i kishte kërkuar ndjesë, dhe ishte larguar. Nuk e dimë a gjeti kimikatin diku tjetër miku i ministrit (a ish-ministrit) tonë, por dimë se parcela ose plantacioni i ministrit (apo ish-ministrit) tonë nuk është më aty në Lazarat.‘Tulipanët’ e tij u përzhitën nga policia. Mbase unë (edhe ju) nuk do ta mësoj kurrë se cili ministër (ish-ministër) ishte ky, por do të kem rast ta çoj sërish tim bir sërish në Lazarat, si pjesë e një Atdheu që ka vendosur të mos i bëjë më të ndiejnë turp qytetarët e tij kur ta përmendin, as objekt të batutave europiane me hashash e plumba. Ndaj si një qytetare e thjeshtë, dhe si shkrimtare, e mbështes dhe e uroj shtetin tim në këtë aksion të madh, të vështirë, por që na vë në vend dinjitetin shqiptar.