Fule: Nëse punoni seriozisht, negociatat për MSA-në vitin tjetër

Komisioneri evropian për Zgjerim, Stefan Fule në takimin me kryeministrin Thaçi deklaroi se rruga e Kosovës për në Bashkimin Evropian varet ekskluzivisht nga institucionet vendore, e jo nga BE-ja.  Ai tha se nëse ka konsensus të fortë dhe punohet seriozisht atëherë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së mund të fillojnë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.Në takim ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe komisionerit Fule është biseduar për Dokumentin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.“Nëse keni konsensus të fortë dhe punoni seriozisht, besoj se do të mund të filloni negociatat në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Rruga e Kosovës drejt BE-së nuk varet nga ne në BE, varet ekskluzivisht nga puna juaj në reforma dhe po ashtu njëjtë edhe në aftësinë tuaj për të ndërtuar një konsensus të fortë në shoqërinë kosovare” tha Fule.Kryeministri Thaçi falënderoi komisionerin Fule për angazhimin e tij personal në përafrimin e Kosovës dhe rajonit në BE.“Jam i vetëdijshëm që kjo nuk është aspak rrugë e lehtë, jo e shkurtër, por do të vazhdojmë të kultivojmë shpirtin evropian, do të vazhdojmë të respektojmë kriteret dhe standardet e nevojshme demokratike. Integrimi i Kosovës në BE nuk është opsion, nuk është ndonjë luks. Integrimi i Kosovës në BE është qëllimi ynë, vizioni ynë. Unë ju siguroj i nderuari Komisioner, që Kosova do të prodhojë argumente që qëndrueshme dhe të mjaftueshme për ju, në mënyrë që ta shtyni axhendën tonë evropiane përpara. Ne jemi të bindur se për pak muaj ne do t`i përmbushim kriteret afatshkurtra”, tha Thaçi.Sipas tij, reformat e shumta demokratike, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, reforma e administratës publike, mbrojtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore, të drejtat e komuniteteve, janë fusha që do të koncentrohen për të punuar maksimalisht, edhe pse siç tha “janë të vetëdijshëm se reformat nuk janë të lehta”.Kryeministri Thaçi tha se Kosova ka ndërtuar fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe në këtë drejtim sipas tij, ajo është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve edhe me Serbinë.“Ne pajtohemi plotësisht me mesazhet e qarta që erdhën nga Brukseli ditëve të fundit, që evropianizimi i rajonit nënkupton fqinjësinë e mirë mes gjitha vendeve dhe popujve tanë”, u shpreh Thaçi.