Fenomeni i kthyer në “traditë”, martohen në masë vajzat e mitura

Martesa e hershme është shkelje mizore e të drejtave të njeriut dhe privon vajzat nga arsimimi, shëndeti dhe perspektiva afatgjate. Vajza që martohet në fëmijëri do të mbetët pa potencial të plotësuar, prandaj duhet angazhimi i të gjithëve për të penguar martesat e hershme të vajzave.Kështu u tha në tryezën e organizuar për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë, me moton, “Jeta ime, e drejta ime, jepi fund martesave të hershme të fëmijëve” të organizuar nga Fondi Popullor i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.Teuta Sahatçia, udhëheqëse e Grupit Joformal të Grave Deputete të Kosovës, ka tërhequr vërejtjen duke thënë se këto nuse të vogla që hyjnë në martesë, pa shkollim dhe pa të ardhurat e tyre, janë të detyruara të kalojnë një jetë të vështirë si në aspektin financiar, social e shëndetësor.Sipas saj, ndalimi i martesës së fëmijëve do të mbronte të drejtat e vajzave dhe do të ndihmonte në uljen e dhunës ndaj tyre, shtatzëninë e parakohshme dhe infeksionet me HIV.