Integriteti territorial i Kosovës, Nikolliç: Të ndryshohet formulimi

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç, i ka thënë komisionerit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule, se nëse Europa dëshiron që Serbia t`i bashkohet, duhet të ndryshojë pjesën e raportit ku përmendet integriteti territorial i Kosovës.“Me një gjë të tillë, BE-ja do të tregonte qasjen e saj neutrale ndaj statusit të Kosovës”, ka thënë Nikolliç në Beograd.Kundër një formulimi të tillë është shpehur sot edhe kryeminsitri Ivica Daçiç, pas takimit me komisionerin Fule.“Për ne kërkesa për një përmirësim përmbajtësor në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk është problematike. Ajo çka na shqetëson neve është deklarata ku përmendet integriteti territorial i Kosovës, e cila mund të çojë në konkludimin se tani ka disa kushte të reja. Kjo është një gjë e papranueshme për ne. Nëse kjo shfaqet si kusht i Komisionit Evropian apo Këshillit Evropian, atëherë askush në Serbi nuk do ta pranojë një kusht të tillë”, ka thënë Daçiç.Ndërkohë diplomati evropian ka thënë se formulimi për integritetin territorial nuk paragjykon statusin dhe se është një fakt që ka theksuar Grupi i Kontaktit që në negociatat për statusin e Kosovës në vitin 2005.Komisioni Evropian ka publikuar të enjten raportin, ku i kërkon Serbisë të respektojë integritetin territorial të Kosovës. Autoritetet serbe kanë thënë se një gjë e tillë mund të kërcënojë dialogun me palën kosovare. Pavarësisht kësaj, komisioneri Fule ka thënë se formulimi për integritetin territorial të Kosovës do të mbetet në raportin e KE-së.