Çefa-Evans: Politika, sjellje të përgjegjshme ndaj institucioneve të drejtësisë

Tiranë- Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, priti sot një takim pune anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, njëherazi bashkëraportues i Komitetit për Shqipërinë, Jonathan Evans, i cili ndodhet në vendin tonë për një vizite zyrtare.Pasi vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me Këshillin e Evropës, Çefa bëri një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve dhe reformave që janë ndërmarrë nga Këshilli sidomos vitin e fundit.Në përgjigje të interesimit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Çefa theksoi se KLD vuri në zbatim detyrimin ligjor për vlerësimin e karrierës së gjyqtarëve, duke përfunduar për herë të parë në histori raundin e parë të vlerësimeve dhe vijimin me ritme të shpejta të raundit të dytë të vlerësimeve që përkon me vitet 2007-2009.Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, informoi Evans, se KLD me qëllim rritjen dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor, ka rritur rolin e inspektoratit në shtimin e kontrolleve ndaj sistemit duke rritur ndjeshëm numrin e kërkesa për procedim të dërguara Ministrit të Drejtësisë.Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Çefa u shpreh se një reformë e shëndetshme do të mbështetet kurdoherë nga Këshilli, ashtu sikundër është e papranueshme cdo praktikë që përjashton atë nga ky proces.Në këtë kontekst, Çefa, nënvizoi se retorika dhe akuzat publike ndaj trupës gjyqësore, jo vetëm nuk e ndihmojnë luftën kundër korrupsionit në radhët e gjyqësorit, por minojnë besimin e publikut në sistem, një element esencial për funksionimin e shtetit ligjor.Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se sfidat më të rëndësishme mbeten lufta ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë në funksion të rritjes të besimit të publikut tek ky sistem si dhe sjellja e përgjegjshme e politikës ndaj institucioneve të drejtësisë.