Nishani kundër qeverisë: Paketa e ligjeve ushtarake, antikushtetuese
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kundërshton fort duke e cilësuar si antikushtetuese paketën e ndryshimeve ligjore në tri ligjet bazë mbi të cilat organizohen dhe funksionojnë Forcat e Armatosura në Shqipëri.Më konkretisht bëhet fjalë për ndryshimet në ligjin “Për autoritetin dhe pushtetin e kontrollit e të drejtimit të Forcave të Armatosura”; në atë “Për gradat dhe karrierën”, si dhe në ligjin “Për Agjencinë e Inteligjencës”.Në një material të zgjeruar dërguar komisionit të Sigurisë Kombëtare, institucioni i Presidentit pasi bën një analizë të thellë të këtyre tri projektligjeve, konstaton se në tërësinë e tyre nismat në fjalë janë të panevojshme dhe se ato në të shumtën e rasteve sjellin reduktim të kompetencave të Presidentit si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kjo në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit.“Baza e paplotë e këtij projektligji është një mangësi tekniko-legjislative, e cila jo vetëm prek ndjeshëm kompetencat e Presidentit, por është dhe një veprim jokushtetues dhe çon në pavlefshmëri absolute të këtij akti”, – thekson Presidenti në analizën e vet, duke iu referuar projektligjit “Për autoritetin dhe pushtetin e kontrollit e të drejtimit të Forcave të Armatosura”.Gjithashtu, ai thekson se projektligji po ashtu i heq Presidentit instrumentet ligjore si urdhra dhe udhëzime me të cilat mund të ushtrojë kompetencën e tij kushtetuese si Komandat i Përgjithshëm i FA-së.“Zbatimi i parimit demokratik të kontrollit dhe drejtimit civil mbi FA nuk besojmë se arrihet më mirë me dobësimin e kompetencave të Komandantit të Përgjithshëm të FA, pra Presidentit dhe përforcimit të Kryeministrit. Në shumë prej parashikimeve ky projektligj cenon parimin e balancimit të pushteteve”, – thekson më tej Presidenti.Më tej ai thekson se argumenti i sjellë në relacion se “autoriteti operacional i njësive ushtarake te komandat aleate me të cilat Forcat tona kryejnë operacione të përbashkëta, është i dyzuar mes Presidentit dhe Ministrit, si dhe propozimi në projektligj për t’ia kaluar tërësisht Ministrit këtë kompetencë për shkak të afateve të gjata kohore që presupozon përfshirja e Presidentit, është i pabazë dhe bie ndesh me Kushtetutën”.Sa i përket projektligjit “Për gradat dhe karrierën”, Presidenti thekson se ai është kaluar në hartimin e kësaj nisme, pasi nuk i është marrë asnjë mendim, pavarësisht se është Komandant i Përgjithshëm i FA. Sa i përket emërimit të ushtarakëve të lartë, Presidenca gjykon se kompetencat që i jepen Presidentit me ligj, mund t’i hiqen vetëm kur ato bien në kundërshtim me Kushtetutën.Gjithashtu, Presidenca vëren se njësimi i gradave me funksionet organike në ligjin aktual bëhet me ligj nga Kuvendi, ndërsa me ndryshimet e sjella bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit.“Kjo sjell si pasojë disiplinimin e karrierës së tyre ushtarake në mënyrë absolute tek Kryeministri dhe anashkalim të Kuvendit për të vendosur si pushtet dhe autoritet primar në drejtimin e Forcave të Armatosura”, – thuhet në këtë material. Më tej Presidenca thekson se edhe në projektligjin “Për Agjencinë e Inteligjencës” i hiqet e drejta Presidentit në emërimin e drejtorit të përgjithshëm dhe kushti për të qenë ushtarak mbajtës i gradës ‘gjeneral brigade’.Shkrimi u publikua sot në gazetën MAPO