Zgjedhjet presidenciale në Siri, Asad pritet të fitojë bindshëm, masa të larta sigurie
Siri- Sirianët votojnë sot në zgjedhjet presidenciale nën masa të rrepta sigurie. Qëndrat e votimit janë hapur në vend, pas 3 viteve në luftë civile ku kanë humbur jetën mijëra persona ndërsa miliona të tjerë kanë braktisur shtëpitë.Presidenti aktual Bashar Al Assad pritet të fitojë bindshëm në këto zgjedhje, për të siguruar një mandat të tretë në krye të kabinetit qeveritar. Gjithsesi kritikët e qeverisë së Assad i kanë cilësuar këto zgjedhje si një mashtrim.Sipas analistëve, këto zgjedhje shihen edhe nga zyrtarët më të lartë të shtetit sirian si një mënyrë për të zgjidhur krizën që ka pushtuar vendin, ndonëse sipas tyre për sa kohë në pushtet do të vijojë të qëndrojë Assad, ka pak gjasa që situata të ndryshojë.Fushata elektorale u mbyll të hënën ndërsa të gjithë posterat e vendosur rreth e qark rrugëve kryesore të Damaskut janë hequr.Kryeministri i Sirisë, Wael al-Halqi tha se këto zgjedhje janë një ditë historike për vendin dhe pjesëmarrja e lartë e qytetarëve do ti provojë perëndimit dhe mbarë botës, se vetë sirianët kanë të drejtë të votojnë dhe të zgjedhin atë që do të drejtojë vendin.Sipas Ministrisë së Brendshme në Damask, janë 15.8 milionë qytetarë me të drejtë vote, brenda dhe jashtë Sirisë ndërsa në mbarë vendin janë hapur 9600 qendra votimi.Votimi pritet të mos mbahet në ato territore të vendit që janë nën kontrollin e rebelëve. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 me orën lokale dhe do të mbyllen 12 orë më pas, në orën 19:00 të mbrëmjes.