"Shenjtërimi", PDIU: Të sqarohet prania e antishqitarit Nikollas Gejxh
Tiranë- Vijojnë polemikat mbi ceremoninë e meshës së shenjtërimit te Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” .Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përmes një deklarate për mediat ka kërkuar nga Kisha Ortodokse të sqarojnë praninë të shkrimtarit dhe publicistit amerikan me origjinë greke, Nikollas Gejxh, i cili shfaqet në meshë në krah Vasil Bollanos.Sipas PDIU, kushdo nga organizatorët që mendon se Gejxh dhe Bollano përfaqësojnë ortodoksët shqiptar tregon se nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët.“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagon ndaj dy zhvillimeve shqetësuese gjatë inagurimit të Katedrales së re Ortodokse në Tiranë. Të habitur pamë se i ishte rezervuar një vend nderi gjatë meshimit antishqiptarit Nikollas Gejxh, në krah të Vasil Bollanos. Kushdo nga organizatorët që mendon se Gejxh dhe Bollano përfaqësojnë ortodoksët shqiptar tregon se nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët që janë më shumë se 90% e ortodoksëve në vend. Ata duhet të përgjigjen se me çfarë cilësie është ftuar Gejxh, i cili nuk njihet si figurë fetare, veçse si figurë antishqiptare. Kjo është një fyerje e rëndë që i bëhet kombit tonë dhe në ve]anti ortodoksëve shqiptarë”.(Në foto: Nikollas Gejxh në krah të Vasil Bollanos gjatë meshës së shenjtërimit të Kishës)
PDIU ka dënuar gjithashtu me ashpërsi deklaratat provokuese të Patriarkut serb Irinej, që sipas saj e tregoi edhe njëherë veten si pararojë e nacionalizmit shovinist serb, shumë larg të qenit një njeri i Perëndisë.“Kur flitet për figura fetare nganjëherë është e vështirë të përcaktohet se çfarë është më e rëndë: provokimi apo mashtrimi. Deklaratat e Patriarkut Serb Irinej nuk janë thjesht një provokim në zemër të Tiranës, por mbi të gjitha janë mashtrime. Ai, i dehur nga një historiografi nacionaliste, që paraardhësit e tij e qepën me kujdes, deklaroi nga Shqipëria se objektet e kultit në Kosovë janë pjesë e identietit serb. Bëhet fjalë për ato objekte kulti, të fesë ortodokse, që në masë janë të ndërtuara nga shqiptarët ortodoksë para dhe gjatë mesjetës. Ato mbeten një dëshmi e patjetërsueshme e shqiptarësisë së Kosovës, po aq sa çdo element tjetër i kësaj krahine.Ne jemi krenar që kombi shqiptar i ka vëretuar fqinjëve se feja mund të përdoret si element bashkimi dhe frymëzimi dhe jo si element përçarjeje. Ndonëse dje, fatkeqësisht, nuk u dëgjua në asnjë moment të flitej për kombin dhe ortodoksë shqiptarë, por vetëm për Ortodoksët në Shqipëri, ne i bëjmë të ditur Irineut, Gejxhit dhe kujtdo që mendon si ata, se shqiptarët, pa dallim feje, si ortodoksë, si katolikë, si mysliman, si bektashinj, kanë dhënë jetën e tyre për të mbrojtur Atdheun. Ashtu sikurse në luftën e Kosovës, krahas të gjithë bashkëkombësve u rreshtuan edhe ortodoksë si legjendari Komandant Teli, Lefter Koxhaj, që dha jetën për të çliruar atë pjesë të Shqipërisë. Prandaj, ajo që Irineu, Gejxh dhe asnjë tjetër nuk dëgjuan dje, do të duhet të përsëritet sot nga çdo shqiptar: Shqiptarët Ortodoksë, që përbëjnë tërësinë e Ortodoksëve në Shqipëri, janë të bashkuar me të gjithë pjesën tjetër të kombit, për t’i thënë një herë e mirë mjaft tentativave të atyre fqinjëve që nuk e fshehin shovinizmin në çdo deklaratë”.Nga ana tjetër, PDIU vlerëson ndërtimin e Katedrales së re Ortodokse në Tiranë, si një objekt kulti ku do të lexohen përkthimet e Kostandin Kristoforidhit dhe të Fan Nolit dhe në të ardhmen e afërt do të meshohet dhe do të predikohet vetëm në shqip, duke u mbajtur gjallë idealizmi i atyre që dhanë gjithçka për kombin tonë, nga At Kristo Negovani, Stathi Melani, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi e të tjerë.Sipas PDIU, Katedralja e Ortodoksëve shqiptarë do të zbukurojë kryeqytetin krahas Katedrales së Shën Palit dhe Xhamisë së re Myslimane, për të cilën duhet të jepet leja për fillimin e punimeve sa më shpejt.bk/oranews.online/