Obama vazhdon turin në Europë, mbërrin sot në Poloni, bisedime për situatën në Ukrainë

Presidenti amerikan Barack Obama ka nisur turin e tij 4 ditor në Europë. Ai pritet të mbërrijë në Poloni ku do të zhvillojë bisedime kryesisht për situatën në Ukrainë.Obama pritet gjithashtu të shprehë edhe një herë mbështetjen e Amerikës për aleatët e NATO-s në Europë dhe të mbajë nën presion Rusinë mbi rolin e saj në krizë. Në muajin prill, SHBA-të dërguan 150 ushtarë në Poloni në mes të tensioneve në rritje me Moskën.Pas vizitës në Poloni, Obama pritet të vizitojë edhe Belgjikën e Francën. Në Belgjikë, kreu i Shtëpisë së Bardhë pritet t'i bëjë thirrje liderëve perëndimorë për të afirmuar pozicionin e tyre në mbështetje të Ukrainës gjatë takimit të G7-ës. Samiti ishte planifikuar të mbahej në Rusi, por pas aneksimit të Krimesë nga Rusia liderët europianë vendosën për bojkotimin e tij.Në Francë, Obama do të marrë pjesë në ceremoninë e 70 vjetorit të ndërhyrjes në Normandi në Luftën e Dytë Botërore. Gjithashtu edhe Putin ishte i ftuar, por Shtëpia e Bardhë tashmë e ka bërë të qartë se udhëheqësit amerikanë dhe rusë nuk do të zhvillojnë bisedime dypalëshe. Uashingtoni ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur Moskën se do të përballet me sanksione të reja nëse nuk do të ndihmojë në uljen e tensioneve në Ukrainë.Të hënën qindra separatistë pro-rusë sulmuan postën kufitare ukrainase pranë qytetit Luhansk, qytetit lindor të Ukrainës, ku mbetën të vdekur edhe 7 persona.  Kremlini i ka mohuar akuzat e perëndimit, kryesisht akuzat se Moska po ndihmon rebelët me armatime./nzh/oranews online/