Transporti i PAK, Veliaj: Do merrem me aparatçinjtë e Bashkisë; Bozdo: 1 muaj kohë për VKM

Tiranë-Irfan Dogjeri është një qytetar i Tiranës me statusin e invalidit që deri më 31 maj ka udhëtuar falas me autobus urban. Nga 1 qershori fatorinot i kërkojnë paratë e biletës, duke mos e njohur më këtë dokument invaliditeti.Si ky qytetar, raste të tjera ka shumë. Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, pa situatën nga afër duke udhëtuar në autobusin e linjës Kombinat-Kinostudio. Ministri akuzoi Bashkinë se e ka krijuar ajo këtë situate, duke shprehur angazhimin se do të merret vetë personalisht,siç shprehet ai, me aparatçinjtë e Bashkisë."Penalizime për të gjitha ato linja të transportit publik që nuk zbatojnë ligjin në lidhje me udhëtimet falas për kategoritë që gëzojnë këtë të drejtë.Do të merrem vetë me gjithë aparatçinjtë e bashkisë dhe do të shfrytëzoj forcën që më jep ligji. Kundër linjave që abuzojnë ndaj kësaj rregulloreje, do të përdoren mekanizmat ligjore, si policia dhe prokuroria”deklaroi ai.Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë, e cila i bëri thirrje Ministrit të lërë shown dhe të tregojë përse me VKM nuk miraton fondin.“Ministri qesharak dhe i paaftë, sulmoi sërish. Lëre shoë-n, trego pse nuk miratohet fondin. Përgjegjësit për krijimin kësaj situatë është kryeministri Rama dhe ministri Veliaj, pasi po penalizohen qytetarët”- thuhet në reagimin e Bashkisë.Ndërkohë Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, gjatë një takimi me kryetar të shoqatave të invalidëve dhe përfaqësues të Shoqatës së Transportit Urban tha se kjo çështje nuk duhet të përcillet sa nga një palë tek tjetra.Bozdo tha se qeverisë do ti lihet një muaj kohë për të alokuar fondin, ndërsa ka qetësuar personat me aftësi të kufizuar që përdorin transportin publik se përgjatë kësaj kohe nuk do të paguajnë asnjë biletë urbani.“Situata e krijuar është një situatë e rëndë, në të cilën Bashkia e Tiranës kërkon një zgjidhje të mundshme. Kemi dal sot në një qëndrim të përbashkët, e cila përfaqëson qëndrimin e Bashkisë dhe shoqatave të invalidëve dhe asaj të dhe transportit publik. Kemi rënë dakord që ti kërkojmë qeverisë brenda një afati 1 muaj, të miratohet VKM-ja, ku të përcaktohen kriteret dhe masa që duhen për këtë përfitim. Kërkesa e dytë është që së bashku me VKM, qeveria duhet të bëjë transparente se cila do të jetë shuma që do të mbështet shoqatat përkatëse për të udhëtuar falas, ose me çmime të reduktuara, sipas rastit”- tha ai.Këtë vendim e kanë mbështetur dhe përfaqësuesit e shoqatave të invalidëve dhe ato të transportit publik.