Sikur zgjedhjet e reja të ishin mbas dere
Kur shikon, dëgjon dhe vuan tensionin e përhershëm parlamentar, ndjehen ethet e ca zgjedhjeve të përgjithshme politike, të cilat sëpaku Artur-Zhejiteorikisht janë ende shumë larg. Në të vërtetë duket qartë se në PD ka të paktën dy korsi ku lëvizet me shpejtësi dhe artileri verbale të ndryshme. Njëra, ku janë grupuar natyrshëm më ‘të rinjtë’, të cilët kanë ciklin e tyre dialektik që përputhet me një apo dy mandatet e të majtës në pushtet dhe korsia e dytë, që ka protagonizmin e korsisë së parë, ku kryefjala e çdo parashtrimi politik lidhet me rrëzimin e qeverisë dhe largimin e parakohshëm të qeverisë Rama.Nga ana tjetër të bën përshtypje marazi dhe provokueshmëria e kryeministrit, i cili, herë pas here e gëlltit karremin mjeshtëror të Doktorit dhe reagon përtej profilit të atij që qeveris, a thua se zgjedhjet edhe për Ramën të ishin mbas dere. Ndërkohë që ai, kryeministri, është aty i mandatuar nga një shumicë domethënëse, për të dhënë Zgjidhjen e një numri shumë të madh problemesh që lidhen me qeverisjen e vendit dhe jo me mbarështrimin spektakolar të debatit të personalizuar me Berishën. Deklarata më e fundit e ofshamur e Ramës se nuk do të polemizonte më tej me ish-kryeministrin, është një lajm i mirë, sidomos për prindërit e fëmijëve që në atë orë të ditës duhet t’iu shpjegojnë atyre se fjalët e pista që thonë qeveritarët tanë të lartë, ata, fëmijët, është gabim t’ua thonë shokëve të tyre.Është e dukshme tashmë se Berisha ka një strategji të qartë, për ta ‘copëtuar’ kundërshtarin e vet përditë dhe copë mbas cope. Ashtu siç ka bërë gjithmonë. Me këmbëngulje, me zell, me sistemacitet dhe me mjete jo të pakta, që sot ka veçanërisht në dispozicion; media, informacion, infrastrukturë dhe njerëz të përkushtuar. Sondazhet më të fundit rrëfyen se ai, ndoshta nuk është në majën e preferencialitetit, porse, padyshim mbetet në majën e referencialitetit dhe ky është qëllimi më kryesor që Berisha ka dhe e përmbush me sukses. Kush ka një kujtesë të mirë dhe kush ka bërë gazetari intensive sëpaku këto 15 vitet e fundit, ka material të mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se ky ka qenë, është dhe do të jetë stili i tij. Madje më shumë, kjo është alter ego-ja e tij: ‘Protagonizmi dhe përleshja politike pa kompromis me kundërshtarin që i ka zënë rrugën apo që i ka fituar zgjedhjet. Kushdo qoftë ai.’Karriera e gjatë dhe e shpërblyer e tij, është tregues që kjo përzgjedhje i ka dhënë frute të begata dhe duket se Berisha pret sërish një lulëzim të ri, sado në mospërputhje të duket kjo me dorëheqjen e tij të paradokohshme. Por ai është në të drejtën e tij të respektueshme politike, për sa kohë është brenda legalitetit parlamentar.Çështja është se kryeministri po gdhend në kujtesën kolektive të opinionit publik, gjith e më tepër performancë duelesh verbale në Kuvend, me ata, që në 23 qershor të vitit të kaluar pësuan një ‘dramë elektorale’. Dhe perceptimi që krijohet, nga çka transmetohet ekraneve, është se kjo luftë kaq e zjarrtë duket sikur fsheh diçka. Pasigurinë e palëve.Pasigurinë e atyre që na qeverisin në radhë të parë. Rezultatet ekonomike, ashtu si dhe moti, nuk janë të kthjellëta. Optimizmi post elektoral është zbehur. Akuzat ngelen në ajër. Drejtësia nuk vepron, por vetëm premton. Premtimet politike dhe elektorale, duken derimë tash se kanë ngelur ende të tilla, premtime reformiste, të mira, të shëndetshme por ende në mendje apo letër. Duket se lluca e të përditshmes, realiteti objektiv, kriza botërore, individi shqiptar dhe rezistenca e burokracisë sikur u ka zënë pak si shumë këmbët ‘atletëve’ rioshë të qeverisë Rama. Të cilët jo rrallë ngjajnë si ca atletë të mbetur pa arenë. Shto këtu ‘kafshimet’ politike dhe verbale të Berishës, që një pjesë e tyre e përjetojnë sikur të ishin në bankën e të akuzuarve dhe jo në poltrona qeverisëse reale. Plus grevat, të vogla në numër pjesëmarrësish, por mediatikisht të cilësishme. Ministrat pra, me ca pak përjashtime, nuk po rrëfejnë dot këllqet e rezistencës politike dhe pozicionale, në raport me kundërsulmin që bën realiteti i përditshëm dhe batarenë e oshëtimave luftarake të opozitës.E tërë kjo panoramë dhe mbi të gjitha reformat rrënjësore, që duket sikur po shtyhen për një stinë tjetër, e mpakin entuziazmin dhe besimin. Zakonisht kryeministrat e mençur, nëse ndeshen me një vjeshtë të parakohshme dhe anormale, duhet të korrigjojnë diçka të rëndësishme. Kabinetin qeveritar. Duke e bërë atë pikërisht më politik, ndryshe nga eksperimenti i derisotshëm. Dhe sigurisht, ndryshe nga dëshira ideale e kryeministrit të ri.Qeverisja, rrëfejnë qeverisësit e famshëm, mjerisht është më së shumti një kompromis i dhimbshëm me ëndrrat e idealet. Sigurisht, duke supozuar se ka ëndrra të tilla.Marrë nga MAPO