120 ha tokë të dëmtuara, inspektoriati në Fier: Gjendja alarmante

Nga veprimtaria që ushtrojnë kompanitë private të naftës në qarkun e Fierit janë dëmtuar 120 ha tokë bujqësore. Inspektoriati i mbrtojes së tokës në këtë qark tha se dëmet janë të konsiderueshme dhe mjaft të ndjeshme për fermerët.Por dëmi nuk qëndron vetëm kaq, faktorët natyrorë si pasojë e gërryerjes që bëjnë lumi Vjosë në Komunën e Cakranit dhe lumi Seman në Komunën Strume janë një tjetër kërcënim për femerët. Valentina Duka, nën cilësinë e drejtores së administrimit dhe mbrojtjes së tokës pranë Këshillit të Qarkut e cilësoi situatën alarmante dhe kërkoi marrjen e masave emergjente.Për drejtoreshën e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, komunat dhe qarku nuk kanë të ardhurat financiare për të bërë të mundur rregullimin e dëmeve të shkaktuara në tokat bujqësore të Qarkut të Fierit. Në shkresën zyrtare drejtuar inspektoriatit shtetëror të mbrojtjes së tokës, komisionit shtetëror të mbrojtjes së tokës, dhe ministrisë së bujqësisë kërkohet marrja e masave emergjente si dhe ndërtimi i paneleve me një vlerë prej 50 milion lekë të vjetra.