Pas akuzave të PD për trafik droge, dorëhiqet Genart Gjashta

Tiranë- Pas akuzave të Partisë Demokratike, jep dorëheqjen Përgjegjësi i Sektorit të Shërbimeve të Brendshme në Prefekturën e Tiranës, Genart Gjashta. Lajmi është bërë me dije në një reagim të dytë nga Prefektura e Tiranës, pasi PD publikoi vendimin e gjykatës së Strasburgut sipas të cilit Gjashta kishte hedhur në gjyq shtetin grek per shkak se i kishin vonuar apelin per disa vite. Me vendim të Apelit ai ishte dënuar me 10 vite burg.“Prefekti i Qarkut Tiranë bën me dije se Përgjegjësi i Sektorit të Shërbimit Mbështetës, nisur në presionin politik, ka kërkuar ditën e sotme dorëheqjen, e cila është pranuar nga Prefekti.Nga ana tjetër, Gjashta i qëndron vendimit të tij të përcjellë më parë për të paditur Partinë Demokratike me qëllim përfitimin e dëmshpërblimit të shpifjes së radhës dhe më pas t’i drejtohet Strasburgut për të përfunduar procesin e pafajësisë” thuhet në deklaratë.Ndërkaq Prefekti i Qarkut Tiranë deklaron se kjo gjueti shtrigash me prapavijë të plotë politike e ka zanafillën që në bllokimin e pazareve të Lulzim Bashës tek Bulevardi i Ri, duhet të konsiderohet e turpshme dhe e neveritshme për këdo.“Bazuar në dokumentacionin ekzistues në dosje dhe të përcjellë më parë për mediat, Genart Gjashta nuk figuron i dënuar sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore, Prefekti i Qarkut Tiranë bën me dije se: Genart Gjashta me detyrë Përgjegjës Sektori i Shërbimeve të Brendshme e ka ndjekur çështjen në Gjykatën e Strasburgut për arsye procedurale. Ndërkohë, ai e ka fituar me 6 vota PRO të trupës gjykuese procedurën.Pas këtij vendimi, për arsye financiare, Gjashta nuk e ka ndjekur më çështjen për të marrë pafajësinë.Kjo e dhënë vërtetohet nga shkrimet e kohës në shtypin shqiptar të vitit 2006 me titujt “I vetmi shqiptari që mundi shtetin grek”.Nga ana tjetër, kjo çështje quhet e shuar dhe shtetasi shqiptar Genart Gjashta figuron i padënuar në shtetin fqinj grek. Gjatë gjithë kësaj kohe, duke qenë koshient për pafajësinë e tij, z. Gjashta nuk i është fshehur në asnjë moment faktit që 14 vite më parë ka pasur një çështje penale të hapur me një shtet të huaj, ndaj të cilit edhe fitoi në Gjykatën e Strasburgut për çështje procedurale dhe më pas përfitoi dëmshpërblim” sqaron Prefekti.