Artistët e TOB ankohen tek Nishani: Normaliteti social të sigurohet me garanci ligjore
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim një përfaqësi të trupës së Teatrit të Operas dhe Baletit (TOB), me kërkesë të tyre. Artistët prezantuan shqetësimin dhe kundërshtitë e trupës artistike të TOB-it lidhur me kontratat e reja të punës të propozuara nga Ministria e Kulturës, të cilat, sipas tyre përbëjnë një prapësim në reformimin e këtij institucioni dhe në zbatimin e standardeve europiane.Artistët e Teatrit e Operas dhe Baletit, gjithashtu ngritën shqetësimin e mungesës së transparencës dhe komunikimit institucional me Ministrinë e Kulturës, çka prek drejtpërdrejt figurën dhe dinjitetin si të artistëve ashtu edhe të institucionit të TOB-it.Presidenti Nishani mirëpriti këtë takim sensibilizues, dhe siguroi se Institucioni iPresidentit do të vazhdojë të jetë një derë e hapur për çdo qytetar, aq më tepër kur bëhet fjalë për një komunikim të hapur dhe institucional me komunitetin e artistëve, me të cilët vendi ynë krenohet si Ambasadorët më të shkëlqyer të Shqipërisë.Presidenti theksoi se dialogu dhe transparenca në çdo proces vendim-marrje dhe shmangia e presionit të çdo lloj forme janë detyrim për institucionet shtetërore dhe pikë kyçe për të shënuar sukses dhe zbatim të plotë në ndërmarrjen e reformave. Ndër të tjera, Kreu i Shtetit u shpreh se është në përgjegjësinë e institucioneve shtetërore mbështetja dhe promovimi i artit dhe kulturës, si trashëgimia më e çmuar e çdo vendi.Në vijim, Presidenti, pasi dëgjoi shqetësimet e përcjella nga artistët, vlerësoi se parimi kryesor që duhet të udhëheqë këtë reformë është se normaliteti social duhet të sigurohet me stabilitet dhe garanci ligjore, dhe ky mesazh duhet përcjellë për sensibilizimin e institucioneve ekzekutive, legjislative si dhe për opinionin e gjerë publik.Në fund të takimit grupi i artistëve dorëzoi peticionin drejtuar Institucionit të Presidentit të Republikës si dhe kopje të dokumentacionit ku kundërshtohen ndryshimet ligjore të ndërmarra, të nënshkruar nga 115 artistë të TOB-it.