Lufta ndaj Pastrimit të Parave, Gazheli kërkon bashkëpunim nga diplomatët

Tiranë- Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave organizoi një takim me përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, me synim njohjen nga afër të aktivitetit të saj dhe krijimin e urave më të forta të bashkëpunimit. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga Bashkimi Europian.Realizimi për herë të parë i kësaj tryeze, me iniciativën e drejtorit të përgjithshëm, Genti Gazheli erdhi si nevojë i prezantimit të punës në muajt e fundit dhe roli i saj në luftën ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.Me këtë rast, Gazheli raportoi para diplomatëve punën e bërë deri më tani. Sipas disa të dhënave të paraqitura nga DPPPP gjatë mbledhjes, vihet re një përmirësim i dukshëm në luftën ndaj pastrimit të parave. Në një krahasim të bërë për të njëjtën periudhë janar-prill të vitit aktual me vitin e shkuar vihet re një numër më i madh i rasteve të cilat kanë kaluar në Autoritetin e Zbatimit të Ligjit në vend. Më konkretisht, në zyrën ë prokurorit dhe në policinë e shtetit kemi 130 raste të raportuara, ose 34 raste më shumë krahasuar me vitin 2013.Genti Gazheli, drejtor i DPPPP-së kërkoi nga përfaqësitë diplomatike forcim të bashkëpunimit në shkëmbimin e informacionit në kohë reale në kuadër të luftës së parandalimit të pastrimit të parave. Takimi, i cili u zhvillua në ambjentet e Delegacionit të BE-së në Tiranë shërbeu për të paraqitur një listë përmbledhëse të aktivitetit që DPPPP ka kryer gjatë periudhës kohore janar-prill 2014. Për këtë qëllim u diskutua për funksionin bazë të kësaj drejtorie që ka të bëjë me analizën e grumbullimit dhe shpërndarjen e informacionit në Autoritetin e Zbatimit të Ligjit në Shqipëri.Informacioni ka të bëjë me rastet e pastrimit të të ardhurave nga vepra penale, si dhe për përfshirje të mundshme të aktiviteteve në financimin e terrorizmit. Përfaqësuesit e ambasadave shprehën gatishmërinë për të ndihmuar institucionet e vendit tonë që luftojnë fenomenin e pastrimit te parave.