Dritan Dajti, shantazh gjyqtarit me fotot e së bijës: Ik nga çështja ime
Tiranë- Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër oficerëve të policisë dhe i mbetur pezull prej rreth katër vitesh, ka marrë dje një kthesë të papritur.Disa foto të depozituara nga Dajti pritet t’i japin procesit gjyqësor ndaj tij një rrjedhë tjetër. Pas kërcënimeve direkte një seancë më parë, ditën e djeshme Dritan Dajti kërkoi në seancë gjyqësore përjashtimin e gjyqtarit Idriz Mulkurti.Si argument Dajti përdori disa foto, ku vajza e gjyqtarit shfaqet në një kafe me kunatin e tij, Erges Xhoxhaj, i pandehur në këtë proces, aktualisht i liruar nga Gjykata e Durrësit.Fotot sipas Dajtit, tregojnë se vajza e gjyqtarit ka njohje me kunatin e tij, i cili ka qenë i pandehur në këtë proces, madje i gjykuar për disa vite nga trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Mulkurti.Situata në sallën e gjyqit ka qenë mjaft e tensionuar, ndërsa Dajti paraqiti kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit. Si provë ai vuri në dispozicion të gjykatës disa foto, ku shfaqen dy persona, njëri prej të cilëve i identifikuar si shtetasi Erges Xhoxhaj.Personi i dytë është një vajzë, për të cilën Dajti pretendon se është vajza e gjyqtarit që po e gjykon në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Nuk dihet nëse personi i dytë në foto është vajza e gjyqtarit, por pavarësisht këtij fakti, kërkesa e Dajtit për përjashtimin e gjyqtarit Idriz Mulkurti nga gjykimi i çështjes së tij pritet të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtar.Pas kësaj kërkese i pandehuri u largua nga salla e gjyqit, ndërsa kreu i trupit gjykues vendosi të ndërpresë seancën, pasi Dajti nuk ishte i mbrojtur nga avokat. Juristët e kontaktuar nga “Mapo”, pa dashur të identifikohen thonë se një gjë e tillë, edhe nëse është e vërtetë, nuk përbën shkak për përjashtimin apo heqjen dorë të gjyqtarit nga çështja.Madje ata e shohin këtë veprim si një shantazh që i pandehuri po i bën gjyqtarit, me qëllim largimin e tij nga gjykimi i kësaj çështjeje. “Në këtë rast nuk ka asnjë nga kriteret e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për heqjen dorë apo përjashtimin e gjyqtarit nga gjykimi i një çështjeje të caktuar”, – tha një prej juristëve të kontaktuar nga “Mapo”.Por, pavarësisht faktit se juristët e shohin si shantazh këtë veprim të të pandehurit, asnjë prej institucioneve nuk ka reaguar për këtë çështje.Gjyqtari, kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, apo Unioni i Gjyqtarëve ende nuk kanë një qëndrim publik për fotot që i pandehuri Dritan Dajti depozitoi si provë, që sipas tij diktojnë largimin e gjyqtarit.Veprimi i djeshëm i të akuzuarit për vrasjen e katër policëve në atë që njihet si masakra e Durrësit në vitin 2009, erdhi pas një debati mes tij dhe gjyqtarit një seancë më parë.Pikërisht më 13 maj të këtij viti, Dajti kërcënoi publikisht gjyqtarin Idriz Mulkurit, i cili më herët kishte rrëzuar disa prej kërkesave që i pandehuri kishte bërë në sallën e gjyqit.“I ke hapur vetes belanë më të madhe, mbaje mend. S’janë asgjë mushkonjat që diskutove sot në gjyqin tjetër, nuk më bëhet vonë për asgjë, mbaje mend dhe do ta shohësh, po ta them këtë para gazetarëve. Ma thonë emrin Tan Dajti”, – tha i pandehuri në seancën e 13 majit dhe më pas u largua nga salla e gjyqit.Procesi gjyqësor ndaj tij vijon prej të paktën 4 vitesh në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe aktualisht numëron mbi 400 seanca të shtyra. Shkak për shtyrjen e seancave është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës, ndërsa asnjë prej institucioneve të drejtësisë nuk ka mundur të disiplinojë këtë proces që po sfidon hapur drejtësinë.Nga gjykimi i kësaj çështjeje deri tani janë larguar dy anëtarë të trupit gjykues, të cilët janë zëvendësuar nga kolegë të tyre. Procedura parashikon se në rast largimi edhe të një tjetër gjyqtari, atëherë procesi duhet të fillojë nga e para.Marrë nga Gazeta Mapo
(Në foto kunati i Dritan Dajtit, Erges Xhoxhaj me vajzën e gjyqtarit Idriz Mulkurti, foto e publikuar nga gazeta "Mapo")