Itali, Mario Monti shpjegon arsyet e dorëheqjes

Mario Monti ka mbajtur konferencën e parë pas dorëheqjes së tij si kryeministër i Italisë. Në deklaratën e tij Monti ka shpjeguar edhe arsyet e dorëheqjes së tij.“Pas një viti pune mund të themi se emergjenca financiare u këpërcye dhe italianët munden që jenë sërish pjesëtarët të Europës me kokën lart. Ne ia dolëm mbanë pa marrë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian. Pas humbjes së besimit, kërkova dorëheqjen. Shpreh mirënjohjen time për Berlusconin, por nuk e kuptoj logjikën e tij. Nëse dikush nuk beson se e kemi qeverisur mirë vendin nuk mund të vazhdohet më tej” tha Monti.Kryeministri i qeverisë teknike të Italisë, Mario Monti, dha dorëheqjen një ditë më parë, pasi parlamenti i Italisë miratoi buxhetin për vitin 2013. Monti e pati paralajmëruar dorëheqjen e tij më herët pasi Silvio Berlusconi tërhoqi mbështetjen e partisë së tij për qeverinë teknike.Monti mori qeverisjen e Italisë pasi vendi shkoi drejt falimentit financiar. Berlusconi parashikohet se do të humbasë zgjedhjet e ardhshme, por synimi i tij duket se është krijimi i një opozite solide që do t’i shërbejë për të mbrojtur veten nga gjyqet e shumta për evazion fiskal që po zhvillohen kundër tij.Ndërkohë, pas dorëheqjes së kryeministrit Mario Monti, presidenti Giorgio Napolitano firmosi sot dekretin për shpërndarjen e parlamentit italian. Pas konsultimeve me krerët e grupeve parlamentare, presidenti Napolitano deklaroi se këtij legjislativi i ka ardhur fundi.Ndërkohë sipas mediave italiane zgjedhjet legjislative të parakohshme në Itali do të zhvillohen më 24 dhe 25 shkurt.