Atentat në Muzeun Hebre, Brukseli: Akt terrorist, forcon masat e sigurisë

Bruksel-Një ditë pas ngjarjes tragjike në një muze hebrenjsh në kryeqytetin belg, Bruksel, zonat e banuara nga hebrenjtë janë sot nën masa të rrepta sigurie, për të shmangur një tjetër ngjarje të rëndë.Dje, një person i armatosur qëlloi për vdekje 3 persona ndërsa një tjetër u plagos rëndë, brenda ambjenteve të muzeut të hebrenjve.Sipas mediave belge, agresori mbërriti me makinë, zbriti prej saj me armë në dorë, qëlloi ndaj njerëzve në hyrjen e muzeut, e më pas u rikthye në mjetin e tij për t'u larguar me shpejtësi.Policia arrestoi menjëherë pas ngjarjes një person si të dyshuar por e ka liruar atë, ndërsa në kërkim janë shpallur edhe 2 persona të tjerë.Sipas ministrisë së Brendshme belge, 2 prej viktimave ishin turistë izraelitë, një çift rreth të 50-tave ndërsa të tre viktimat janë qëlluar me plumba në fytyrë. Vetë kryebashkiaku i Brukselit, Yvan Mayeur e ka cilësuar këtë ngjarje si një akt terrorist. Kryeministri Elio Di Rupo tha se shtetasit belg "janë të bashkuar dhe shfaqin solidaritet përpara këtij sulmi të urryeshëm ndaj një institucioni të kulturës hebraike".Ndërsa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërkuar kapjen e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa theksoi se kjo ngjarje nuk duhet të ndikojë në hapjen e një luftë ndaj hebrenjve dhe shtetit të tyre. Belgjika ka një popullsi hebreje prej 42 mijë banorësh, gjysma e të cilëve jetojnë në Bruksel.