Lezhë, Policia bashkiake: Nuk tolerojmë, do çlirohen hapësirat publike
Lezhe- Policia Bashkiake e Lezhës ka nisur prej disa ditësh aksionin për lirimin e hapësirave publike.Trotuaret në akset kryesore dhe qendra e qytetit tashmë janë çliruar nga zaptimi që i kishin bërë dyqanet, lokalet dhe tregtaret ambulant.Shefi i policisë bashkiake Angjelin Fierza ka bërë të ditur se “nuk do të ketë tolerime për ata që do bllokojnë hapësirat publike”, pasi ato janë për qytetarët.“Pas shumë paralajmërimesh që iu kemi bërë disa subjekteve që kanë bllokuar trotuarët, sot kemi bërë një plan pune dhe jemi duke i marrë këto materiale, si vazo, tavolina, hekura, tabela dhe kjo punë do vazhdojë gjatë ditëve.Për çdo rast që do konstatojmë ne do t’i lirojmë dhe s’do ketë asnjë lloj pengesë për qytetarët. Kryetari i Bashkisë ka prioritet shërbimin ndaj qytetarëve dhe lirimi i hapësirave publike është prioritet”, ka thënë Anxhelin Fierza.Ndonëse nuk paguanin asnjë taksë shtesë për zënien e hapësirave publike, bizneset në Lezhë nuk i kishin kursyer trotuaret për të reklamuar mallin e tyre.Të shumta kanë qenë edhe tabelat reklamuese që ishin vënë pa lejen e bashkisë.Një masë e tillë vjen në një kohë kur ka filluar të frekuentohet ndjeshëm shetitja e qytetarëve në orët e mbremjës, por që janë përballur pikërisht me këto pengesa.Aksioni tashmë është shtrirë edhe në lagjet e tjera të qytetit.