Festivali i filmit në Kanë, Ceyan rrëmben çmimin "Palma e Artë"
Filmi "Winter Sleep" nga regjisori turk Nuri Bilge Ceylan ka fituar çmimin e madh të Kanës, "Palma e artë", në edicionin e 67-të të këtij eventi kinematografik, film ky i cili që prej shfaqjes është vlerësuar si favoriti kryesor, së bashku me "Mommy" të Xavier Dolan. Fitorja e "Winter Sleep" ishte në fakt një fitore e pritur ndonëse kishte përballë një rival si "Two Days, One Night" të vëllezërve Dardennes. Filmi i Ceylan ishte ndër favoritët kryesorë prej ditësh. Ishte filmi më i gjatë i konkursit që flet per një dramë familjare që rrëfen historinë e një familje që udhëheq një hotel në Turqi, zgjat 3 orë e 16 minuta, që për regjisorin vjen si një kurorëzim pas një serie të gjatë çmimesh të vogla.Ndërsa ka tërhequr çmimin më të madh të këtij festivali ndërkombëtar, regjisori turk Ceylan tha se ja dedikon atë të gjithë të rinjve dhe të rejave që humbën jetën gjatë vitit të fundit në Turqi. Ky është film i dytë turk që fiton çmimin "Palma e Artë".Aktori më i mirë i edicionit të 67-të të festivalit më prestigjioz të filmit në botë, ishte britaniku Timothy Spall, për rolin e tij në filmin "Mr. Turner". I njëjti çmim në kategorinë e femrave shkoi për Julianne Moore për rolin e saj në filmin "Maps to the Stars". Skenari më i mirë u shpall ai i filmit rus "Leviathan", ndërsa regjisori më i mirë i këtij festivali u shpall Bennett Miller me filmin "Foxcatcher".Çmimi i jurisë shkoi për regjisorin më të vjetër dhe atë më të ri: 25 vjeçari Xavier Dolan fitoi me filmin "Mommy", ndërsa legjenda Jean-Luc Godard, tashmë 83 vjeçar, fitoi me "Goodbye to Language", që mund të jetë dhe pjesëmarrja e tij e fundit në Kanë.Çmimi i Madh i jurisë është prezantuar nga mbretëresha e kinemasë italiane, Sophia Loren, e cila i ka sjellë fat Italisë edhe në Kanë, ashtu siç bëri me Oskarët ku i dha çmim Roberto Benigni-t. Këtë herë ishte filmi "Le meraviglie" i Alice Rohrwacher, regjisore italiane me veprën e saj të dytë të artit ndërsa çmimi i madh, "Palma e Artë" u prezantua nga regjisori Quentin Tarantino. Në këtë edicion të festivalit të Kanës 18 filma garuan për çmimin kryesor ndërsa për 11 ditë me radhë Kana u mbizotërua nga aktorët e regjisorët më të famshëm të Hollivudit, ku padyshim vëmendja është përqëndruar tek parakalimi i yjeve mbi tapetin e kuq.