Kosovë, takohen sërish Thaçi dhe Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është takuar sërish me kreun e AAK-së Ramush Haradinaj.Lajmi është bërë i ditur nga mediat kosovare të cilat theksojnë se lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë darkuar në një nga restorantet e kryeqytetit.Ky takim vjen në kohën kur ka filluar të përflitet se do të ketë një koalicion të mundshëm ndërmjet dy partive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Ndërkohë zyrtarë të AAK-së të kontaktuar nuk e kanë pohuar e as mohuar darkën ndërmjet Thaçit e Haradinajt.Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi ka thënë të mos jetë në dijeni të këtij takimi.Ndërkohë, partia e Ramush Haradinajt prej kohësh është afruar me partinë e Thaçit. Madje, nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala është emëruar si koordinator i delegacionit të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin delegacion e kryeson kryeministri Thaçi.Që nga lirimi i Ramush Haradinajt nga Gjykata e Hagës si i pafajshëm është përfolur për hyrjen eventuale të AAK-së në qeverisje, por një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. AAK-ja vazhdimisht ka përsëritur se kushti i tyre për bashkëqeverisje me PDK-në është posti i kryeministrit, derisa zyrtarë të PDK-së thonë se Kosova e ka kryeministrin.Sipas burimeve në PDK, koalicioni ndërmjet dy partive të dala nga lufta nuk do të mund të ndodh para përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor në PDK, për shkak të rrezikut që mund t’i kanoset partisë më të madhe në vend nga rebelimi i mundshëm i disa prej zyrtarëve të saj, të cilët mund t’i humbin postet qeveritare me hyrjen e AAK-së.